Në asnjë shkollë në Fushë-Kosovë nuk funksionon mësimi parafillor. Drejtues të shkollave thonë se këto klasa do të ndihmonin fëmijët të socializoheshin me bashkëmoshatarët dhe do të ndërtonin raporte më të shëndosha.
Sipas Ligjit Parauniversitar, edukimi parafillor është i detyrueshëm. Pushteti komunal ankohet për mungesë të hapësirave në objekte shkollore e prindërit detyrohen të paguajnë për t’i dërguar fëmijët në institucione private.
Në Fushë-Kosovë nuk ka asnjë klasë për mësimin parafillor. Në mungesë të këtyre klasave në sistemin publik, prindërit detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë në institucione private me pagesë.
Drejtues të shkollave thonë se moshapja e klasave për parashkollorë krijon telashe pasi fëmijët nuk arrijnë të socializohen dhe të njihen me mësimdhënësit para se të fillojnë klasën e parë.
“Ky socializim do të krijonte raporte shumë më të shëndosha edhe në parapërgatitje emocionale edhe psikike të fëmijëve, se ata e dinë se tek të cilat mësuese do të jenë në të ardhmen. Edhe vetë ambienti shkollor, hapësira shkollore ata do t’i motivonte dhe do të mësoheshin me rregullat e reja që do t’i mësonin në klasën e parë. Kjo normal që na krijon vështirësi”, tha Ismet Gashi, drejtor në shkollën “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë.
Ai thotë se para disa vjetësh e kishin hapur një klasë për parafillorë, por funksionoi vetëm një vit. Sipas tij, në vitin vijues në shkollën që ai drejton ishin shtuar 12 paralele të reja dhe për shkak të mungesës së hapësirës ishin detyruar që atë klasë ta shndërronin në klasë të rregullt.
Mungesën e hapësirës e përmendin si arsye edhe zyrtarët komunalë.
“E para do të thoja se nuk kemi hapësirë të mjaftueshme, hapësirë do të thotë e kam fjalën për objekte shkollore, sepse në shkollat e Fushë-Kosovës është një numër jashtëzakonisht i madh i nxënësve. Kemi ardhje të reja dhe qyteti po rritet dhe sigurisht nuk po i përmbush kërkesat që të fusim në sistem edhe sistemin parashkollor. Kjo është një prej arsyeve, por jo vetëm kjo. Pastaj kemi edhe te kuadri, sepse disa norma janë lejuar, po nuk janë të mjaftueshme për gjithë zhvillimin e procesit mësimor”, tha Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë-Kosovës.
E Habib Mekolli nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Komunës së Fushë-Kosovës po i mungon interesimi për t’u marrë seriozisht me këtë sektor. Sipas tij, vitin e kaluar MASHT-i i ka miratuar 156 norma të reja për këtë komunë.
“Si komunë ka me muaj që jemi me ushtrues detyre të drejtorit të Arsimit. Do të thotë nuk kemi as drejtor i cili ekzkluzivisht merret me këtë çështje. Dhe, siç e dimë, në Fushë-Kosovë përveç për parafillorë kemi proleme edhe për shkolla. Domethënë nuk mundet me i plotësua nevojat e ardhjeve të vazhdueshme të qytetarëve që vijnë me jetua në Fushë-Kosovë dhe Komuna besoj që ish dashtë me qenë më proaktive dhe me u parapri këtyre nevojave të qytetarëve”, tha Mekolli.
Sipas Ligjit Parauniversitar, të miratuar më 2011, edukimi parafillor në Kosovë është i obligueshëm. /KOHA