Kryeministri Edi Rama tha në një konferencë të mbajtur për të prezantuar të dhënat e para të territorit të Shqipërisë nga pamjet satelitore të përfituara nga Albania 1 dhe Albania 2, se asnjë i ri i cili merret me IR nuk duhet të largohet nga Shqipëria dhe as të shikojë sektorin privat si mundësia e vetme.
Ai tha se një paketë e re është gati për këta të rinj, e cila përveçse u ofron shfrytëzimin e këtyre sistemeve që janë në nivel ekselence sipas tij, do u mundësoj atyre edhe pagat më të larta në rajon.
“Është një mundësi këtu për t’ju thënë vajzave dhe djemve që janë në botën e teknologjisë se sot shteti është konkurrenti më i fortë në treg për pagat në këtë sektor. Të punosh në agjencitë tona që merren me këto sisteme dhe këtu nuk është çështje njerëzish të botës së informacionit teknologjik, por edhe njerëzish që janë inxhinierë, agronomë, njerëz të diplomuar për ato elementë që lidhen jo thjesht me leximin dixhital por dhe me interpretimin e trajtimin, kanë mundësinë që duke aplikuar të bëhen pjesë e skuadrës së ASIG-ut dhe të paguen më mirë se në çdo kompani private.
Është një paketë e re që është bërë gati dhe do kalojë së shpejti që asnjë i ri dhe e re me dije dhe formim në fushën e teknologjisë të mos e shohë as largimin nga Shqipëria, as sektorin privat si dy mundësitë e vetme.
Sepse ne jemi këtu për t’ju dhënë dhe ja u kemi garantuar një mundësi të tretë që është mundësia sot për sot më konkurruese dhe në vitet në vijim më optimale. Kush do punojë për shtetin shqiptar për të vënë në përdorim maksimal të gjitha këto sisteme që janë në nivel ekselence do të paguhet më mirë se sa kudo tjetër në rajon dhe patjetër më mirë se kudo tjetër në sektorin privat”,tha kryeministri Rama