Dy javë pas publikimit të testit të PISA-s, e cila e nxjerr arsimin kosovar me nota jo të kënaqshme, ka reaguar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e cila ka nxjerrë nëntë rekomandime, për përmirësimin e sistemi arsimor. Në mesin e këtyre pikave, ASHAK kërkon depolitizimin e arsimit dhe trajtimin e mësimdhënësve me dinjitet.
“ASHAK edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet. Para më shumë se dy vjetësh ASHAK hartoi një platformë, me anë të së cilës u përpoq të tërhiqte vëmendjen për gjendjen jo të mirë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë”, shkruan në fillim komunikata e Akademisë.
Të gjithë në një mënyrë, sipas këtij institucioni, ka qenë të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, “se situatën në arsim e kemi alarmante”.
…Vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetësistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese”, konsideron ASHAK.
Në emër të një demokracie të keqkuptuar, sipas akademisë, është liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor është bërë kaotik dhe është kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, “duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim”.
Lidhur me këtë situatë, Kryesia e ASHAK ka identifikuar masat emergjente që duhet, sipas saj, ndërmarrë në sistemin arsimor të Kosovës.
Reagimi i ASHAK:
E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj, sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar.
E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe.
E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin.
E katërta, në asnjë sistem shkollor, në këtë fazë që jemi ne, nuk mund të bëhet aq relativ dhe i parëndësishëm vijimi dhe vlerësimi (nota). Vijimi është përgjegjësi e prindërve në rend të parë, të cilët, me një lehtësi të madhe i privojnë fëmijët e tyre nga shkolla, duke i hequr nga procesi mësimor me orë dhe me ditë të tëra. Më anë tjetër, vlerësimi (nota) duhet të kthehet me krejt peshën e tij në shkollë dhe në sistemin arsimor.
E pesta, procesi edukativ si segment i rëndësishëm i shkollës duhet të jetë më rigoroz dhe më substancial. Në shkollat tona është futur delikuenca dhe kriminaliteti. Me këtë problematikë duhet të merren të gjitha institucionet e shtetit dhe organet e rendit.
E gjashta, statusi i mësuesit dhe arsimtarit duhet të ndryshojë urgjentisht. Ata duhet të vlerësohen për punën e tyre, por para së gjithash duhet të aftësohen profesionalisht dhe të rindërtojnë figurën e tyre. Ata duhet t’i nënshtrohen licencimit dhe proceseve të tjera që lidhen me aftësitë e mësimdhënies, performancën dhe meritokracinë. Mësimdhënësit që dëshmojnë aftësi dhe përkushtim, duhet të diferencohen edhe në pikëpamje financiare.
E shtata, niveli qendror i institucioneve arsimore duhet të shtojnë ekipet e kontrollit dhe të inspektimit nëpër të gjitha shkollat e vendit, për të vlerësuar nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke identifikuar përgjegjësit e dështimeve dhe duke i ndëshkuar ata.
E teta, niveli qendror i institucioneve arsimore, me germë dhe me normë, po ashtu ka detyrimin për të përcjellë nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies edhe në të gjitha shkallët e arsimit privat në mbarë territorin e shtetit të Kosovës.
E nënta, duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës”.
Në fund Akademia e Shkencave thotë se Kosova si shoqëri duet ta kthejë vëmendjen te shkolla dhe arsimi.
“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në të gjitha nivelet e arsimit, shpreh gatishmërinë e saj të japë kontribut për tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare”, thuhet në fund të reagimit.