Nëse do t`ju kishte rënë ndonjëherë rasti të hyni në klasën e Dan Gill-it në Glenfield Middle School në Montclair, Neë Jersey, do ta kishit vënë re menjëherë karrigen bosh në qendër të klasës.
Nuk është një karrige pushimi ose karrige për një administrator që të vijë dhe të vëzhgojë klasën. Karrigia bosh është një kujtesë. Një kujtesë për Gillin dhe një kujtesë për nxënësit e tij.
“Çdo vit unë jap mësime rreth ditëlindjes së Martin Luther King Jr. rreth lëvizjes për të drejtat civile”, tha Gill për TODAY Parents. “Doja t’i lidhja studentët në një mënyrë personale me atë që do të thoshte kjo për mua”.
Kur Gill ishte nëntë vjeç, ai dhe miku i tij më i mirë Archie shkuan në një festë ditëlindjeje në Nju Jork. Dhuratat në dorë, dy djemtë – Gill, i bardhë dhe Archie, me ngjyrë – i ranë ziles. Nëna e fëmijës që kishte ditëlindjen e pa Archie-n dhe tha se nuk kishte më karrige. Gill, i hutuar, tha se mund të uleshin në dysheme ose të merrte më shumë karrige. Gruaja përsëriti se nuk kishte më karrige. Më në fund, Gill kuptoi se Archie nuk ishte i mirëpritur sepse ai ishte me ngjyrë. Djemtë u larguan të dy duke qarë.
Kjo ditë ka qendruar në memorien e tij për më shumë se 60 vjet.
“Ne duhet të jemi një klasë mundësish. Archie-t iu mohua mundësia për të shkuar në festën e ditëlindjes për shkak të një paragjykimi që kishte ajo gruaja”, thotë ai sot.
Gill po planifikon të dalë në pension dhe të shkruajë një libër me titullin “Nuk ka më karrige”. Ai do t’i kushtohet Archie, i cili vdiq vitin e kaluar. Dy djemtë i humbën kontaktet dekada më parë, por Gill ka gjetur të afërmit e Archie-t në rrjetet sociale.