Profesion e ka arsimin, ku tash e disa vjet Xhemil Ismani ligjëron gjuhën angleze në shkollën fillore Jeronim De Rada të Ferizajt.
Por në vitet ’85, kur ishte burgosur për çështje politike, brenda hapësirave të burgut ai zbuloi një aftësi të tij.
Pirografia, që ndryshe njihet si arti përmes djegies, është një nga pasionet e Ismanit që e përcjell pothuajse në kohën më të madhe të ditës.
“Pirografinë e parë e kam prekur në burgun e Zenicës. Atje kemi qenë të detyruar të punojmë në tre ndërrime, në një dhomë kemi qenë diku afro 90 të burgosur, ndërsa unë me dy shokë të tjerë çdo të diele bënim aktivitete të lira që ta mbysim kohën dhe ne shkuam në pirografi ku atje fillimisht e pamë se çka është pirografia”, thotë Ismani.
Djegia në drurin e vishnjës është më i përshtatshmi punim, të cilin Ismani mund ta përfundojë brenda ditës.
“Fillimisht e zgjedhim dërrasën ku do punojmë, merren përmasat e fotografisë, e pastaj përmes djegies vjen deri tek figura që kemi zgjedh, që shpesh herë arrin ta ketë ngjashmërinë shumë të lartë”, thotë ai.
Pirografia punohet edhe nga të tjerët, por sipas Ismanit nuk ka edhe shumë të interesuar për ta mësuar një zanat të tillë.
“Në Kosovë pirografia zhvillohet, por që nuk i kushtohet rëndësi. Ky lloj arti e ka një të veçantë, lëshon aromë gjatë djegies dhe të tërheq”, tregon ai.
Në mjeshtërinë e gdhendjes në dru, vegla në të cilën maja metalike i skuqet, atij shpeshherë i janë krijuar edhe incidente të vogla.
“Nganjëherë harroj ta fik dhe digjem, por që nuk janë me fatalitet”, tregon Ismani.
Megjithatë, për Ismanin, arsimi mbetet një nga profesionet më të dashura për të.
Tani kur atij i kanë mbetur edhe 3 vjet deri në pensionim, dalëngadalë pirografia po shndërrohet në një nga punët primare.
“Arsimi është i pazëvendësueshëm, një herë hyn në klasë dhe jep mësim, është e vështirë të shkëputesh nga arsimi. Pirografia është me liru shpirtin, mos me mendu të keqën, për këtë është arti”, shton ai.
Ismani kohëve të fundit po merr porosi të shumta nga klientët për këso punimesh, e me të kërkuarat janë gdhendja e portreteve familjare./ktv/