Një rast i dyshuar i keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare është raportuar në Mamushë, ku një arsimtar dyshohet se ka pasur një incident me një nxënës.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur më 6 mars 2026 rreth orës 10:30, në shkollën fillore “Anadollu”, në rrugën “Pasha Mahalle”.
Sipas informacioneve fillestare, arsimtari me inicialet M.B. dyshohet se ka reaguar ndaj një nxënësi të klasës së nëntë, me inicialet E.T., pasi nxënësi kishte dalë nga ora e mësimit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas raportimit të Sinjalit, arsimtari e ka thirrur nxënësin në një klasë dhe dyshohet se gjatë komunikimit mes tyre ka ndodhur një incident, ku nxënësi ka pësuar disa shenja të lehta në qafë.
Pas përfundimit të mësimit, rreth orës 13:00, nxënësi së bashku me gjyshin e tij ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Mamushë dhe më pas është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Pas trajtimit, ai është liruar për trajtim shtëpiak.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në ndalim policor.
Rasti është iniciuar si “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve dhe lëndim trupor”, ndërsa hetimet nga organet kompetente janë në vazhdim.