Shtatë pedagogë në fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ janë arrestuar. Policia dhe Prokuroria e Elbasanit zbarkoi paraditen e sotme, 1 nëntor, në fakultetin e Shkencave të Edukimit, ndërsa 7 pedagogët janë pezulluar edhe nga detyra.
Pas një hetimi disamujor organi i akuzës ka zbuluar se pedagogët vendosin nota kaluese kundrejt ryshfetit. Në hetim për korrupsion janë pedagogët O.B., Z.G, ASh, BG, EG, FT, dhe MH,. Në burg është lënë edhe sekseri GH.
7 pedagoget gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë të shoqëruar në ambientet e policisë dhe tashmë me urdhër ndalimi të prokurorit janë dërguar në paraburgim.
Prokuroria konfirmon se në materialet e sekuestruara ka gjetur prova të mjaftueshme materiale si para, fletë provimi apo biseda telefonike. Mësohet gjithashtu se pedagogeve u janë sekuestruar edhe telefonat dhe gjithashtu në pyetje do të merren edhe studentë.
Dyshohet se ata kanë shfrytëzuar postin për të ndikuar si tek pranimet e reja ashtu edhe tek nota kaluese e studentëve të mësuesisë. Lidhja mes pedagogëve dhe studentëve kryhej nga shtetasi Gazmend Hodaj, i cili luante rolin e sekserit.
Pedagogët përfitonin nga studentët shuma parash që varionin nga 150 deri në 500 euro. Hetimet mësohet se kanë nisur gjatë sezonit të vjeshtës, pasi studentët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese. Pedagogët nën hetim për korrupsion pasiv janë pezulluar nga detyra. / Shkrim i marrë nga Shqiptarja.com