11 nxënës janë arrestuar në Prishtinë nga Policia e Kosovës të cilët kanë parandaluar një konflikt mes nxënësve të dy shkollave.
Disa nxënës nga shkolla e mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë të armatosur me armë të ftohta ja kishin mësyrë gjimnazit “Xhevdet Doda” për t’i qëruar hesapet me bashkëmoshatarët e tyre.
Rasti tani është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Prishtinës.
“Zyrtarët policor të stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht të njësitit me rroba civile që operojnë në afërsi të shkollave, sot rreth orës 13:30, kanë parandaluar një konflikt mes disa nxënësve në afërsi të një shkolle në kryeqytet. Pas marrjes së informatave se personat në fjalë kishin lënë një takim për të “zgjidhur” një mosmarrëveshje mes tyre, ka qenë reagimi i shpejtë i policisë ai që ka mundësuar arrestimin e 11 personave”, ka deklaruar për Albanian Kids Education, Flora Ahmeti, zyrtare për informim në polici.
Ajo ka thënë se ky rast po trajtohet në koordinim me prokurorin e shtetit.
“Vlerësojmë lart, kontributin e secilit qytetar dhe i inkurajojmë për bashkëpunim të mëtejmë. Bashkëpunimi juaj me Policinë e Kosovës, po ndikon dukshëm në parandalimin e dukurive negative”, ka deklaruar Ahmeti. /Albanian Kids Education/