Ardit B. Hamza, nga fshati Krushë e Madhe e Rahovecit ka përfunduar me sukses studimet në fushën e Arkitekturës në Universitetin Teknik të Grazit (TU Graz), shkruan AlbanianEducation.net.
Ai fillimisht përfundoi studimet Bachelor në Arkitekturë dhe fitoi titullin Bachelor of Science (BSc), ndërsa më pas vazhdoi studimet Master, duke marrë titullin Diplom-Ingenieur (DI), i barasvlershëm me Master of Science (MSc) në Arkitekturë.
Tema e punimit të tij të masterit lidhet drejtpërdrejt me Kosovën dhe të ardhmen e saj.
“Projektimi i një stadiumi futbolli dhe masterplani për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ishte tema e punimit.

Njoftimi nga faqja Krushë e Madhe:
Lajm i mirë nga Krushë e Madhe
Nga vendi i sakrificës, i punës dhe i njerëzve që nuk ndalen kurrë së ëndërruari e vepruari për një të ardhme më të mirë, në vazhdën e sukseseve të njëpasnjëshme, vjen edhe një lajm i mirë që e bën krenare jo vetëm familjen e fshatin tonë, por edhe mbarë shqiptarinë.
Djali i Krushës së Madhe, z. Ardit B. Hamza , djali i z.Bekim Hamza (ndër të parët e rreshtuar në radhët e UÇK-së në Drenoc), ka përfunduar me sukses studimet universitare në fushën e Arkitekturës në Universitetin Teknik të Grazit (TU Graz) që është ndër universitetet më të njohura të Evropës në këtë fushë.
Pas përfundimit të studimeve Bachelor dhe fitimit të titullit Bachelor of Science (BSc), ai vazhdoi studimet Master, duke fituar titullin akademik Diplom-Ingenieur (DI), i barasvlershëm me Master of Science (MSc) në Arkitekturë.
Arditi, para gjashtë vitesh humbi nënën e tij të dashur, por nuk u përkul para dhimbjes. Përkundrazi, e shndërroi atë në forcë, motiv dhe përgjegjësi.
I frymëzuar nga qëndresa e familjes së tij dhe nga sakrifica e shumë fëmijëve jetimë të luftës, ai vazhdoi rrugën e dijes me përkushtim e vendosmëri. Njëkohësisht, u bë mbështetja më e madhe për vëllain e tij të vetëm, më të voglin e shtëpisë, z. Arian Hamza i cili po ndjek studimet post universitare për Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin Teknik të Darmstadtit në Gjermani.
Veçanërisht na bën krenar fakti se tema e punimit të tij të masterit lidhet drejtpërdrejt me Kosovën dhe të ardhmen e saj:
“Projektimi i një stadiumi futbolli dhe masterplani për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”.
Punim që nuk është vetëm sukses akademik, por dëshmi e lidhjes së fortë që Arditi ruan me vendlindjen dhe me Kosovën, duke e parë zhvillimin e saj si pjesë të vizionit të tij profesional.
Sot, Arditi jeton dhe vepron në Graz të Austrisë, ku me profesionalizëm dhe përkushtim ushtron profesionin e arkitektit dhe drejton zyrën e tij “Pixline Designs”.
Historia e tij është histori e një familjeje që i dha Kosovës punë me nder dhe sot i jep profesionistë për zhvillim. Është historia e një djali që sfidoi dhimbjen, e mposhti vështirësinë dhe dëshmoi se me punë, dije dhe këmbëngulje nuk ka pengesë që nuk tejkalohet.
Dikur bijat e bijtë e Krushës mbrojtën atdheun me armë në dorë, ndërsa sot e lartësojnë atë me dije, profesionalizëm dhe sukses.
Të përgëzojmë përzemërsisht, Ardit!
Urojmë që kjo të jetë vetëm një ndalesë në rrugëtimin tënd të gjatë të sukseseve profesionale e njerëzore.
Krusha e Madhe krenohet me ty!
Urime familjes Hamza dhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë arritje të jashtëzakonshme!
Me dije ndërtohet e ardhmja, me punë nderohet vendlindja. Me sukseset e të rinjve tanë forcohet krenaria kombëtare.
Jungjatjeta,
Selami Hoti
Kryetar i Këshillit të Fshatit Krushë e Madhe