Arbërie Nagavci humb betejën e dytë në Kushtetuese

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të premten që t’i shfuqizojë disa nga nenet e Udhëzimit Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.

- paragrafi 1 -

Ministria e Arsimit kishte marrë autoritetin për të vendosur lidhur me çështjen e mbylljes së shkollave në nivel lokal sipas këtij Udhëzimi Administrativ, raporton Gazeta Sinjali.

- Advertisement -

Pas kësaj, Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrat, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Udhëzimin Administrativ.

Udhëzimi i Ministrisë për kompetencën për vendimmarrje të plotë nga pushteti qendror për formimin dhe shfuqizimin e institucioneve të nivelit parauniversitar nëpër komuna bie ndesh me kompetencat e pavarura të komunës, sipas Kushtetutës.

Për këtë çështje, Kastrati tha për Sinjalin se vendimi i Kushtetueses hyn në kuadër të qasjes të MASHTI-t i cili në mënyrë të vazhdueshme, sipas tij, ka tentuar dhe tenton të hyjë në kompetenca të nivelit lokal.

- Advertisement -

“Tashmë po bëhen dy vendime të Kushtetueses që duhet të ia bëjnë të qartë edhe MASHTI-t edhe qeverisë se duhet të respektohet ndarja e pushteve. Tash në këtë rast ne kemi komuniku disa herë edhe me ministren Nagavci i kemi shkruar edhe kryeministrit Kurti që ta korrigjojnë udhëzimin e tillë por ata nuk ishin të interesuar çka e bën më shqetësuses këtë që prej vendimit të gjykatës është kuptu që kryetari i tanishëm ka kërkuar që të tërhiqet Komuna e Kamenicës nga kjo kërkesë dhe që Kushtetuesja të mos e trajtojë si rast. Kjo, sikurse në rastin e kaluar ku e bën të qartë se kanë qenë të vetëdijshëm që një gjë e tillë është shkelje”, u shpreh ai.

Megjithatë, kjo nuk është beteja e parë mes MASHTI-t dhe Komunës së Kamenicës.

Në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

Atë kohë, Nagavci kishte konsideruar se “situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë”.

E Kastrati duke ju referuar të dy vendimeve të Kushtetueses, thotë se është shqetësuese që ministrja e Arsimit “thotë se e ka shkel Kushtetutën për ta respektuar ligjin”.

“Në rastin e parë e ka shkelë Kushtetutën me veprim ndërsa në rastin e dytë e ka shkelë me mosveprim dhe është shqetësuese sesa jo njohëse e Kushtetutës dhe rregullativës ligjore dhe më shqetësuses është që është master në juridik. Paramendo kemi ministre që thotë se e ka shkel Kushtetutën për me respektu ligjin që është totalisht injorancë dhe nuk mundet me pas ligj që është në kundërshtim e as mbi Kushtetutën”, tha Kastrati për Sinjalin.

Ndryshe, ministrja Nagavci në shtator të këtij viti u bë kryefjalë në media për studimet master dhe kohëzgjatjen e këtyre studimeve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet në këtë nivel i kishte filluar në vitin 2009/2010 dhe ka arritur t’i përfundojë tek më 5 prill të vitit 2019. /Sinjali