Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se në Universitetet publike mund të presin 9057 studentë të rinj në afatin e parë.
Universitetet publike mund të presin 9057 studentë të rinj në afatin e parë.
Postimi i saj:
Tashmë janë shpallur konkurset nga të gjitha universitetet publike në vend për regjistrimin e studentëve për vitin akademik 2022-2023.
Këtë vit numri i programeve për afatin e parë është 146 programe dhe numri i studentëve që pritet të regjistrohen në universitetet publike në afatin e parë është 9057.
Duke e pasur parasysh situatën e përgjithshme në vend, e specifikisht në tregun e punës, këtë vit kemi reflektuar në lidhje me numrin e studentëve në disa profile.
Konform nevojave, kemi rritur numrin e studentëve në fushën e Mjekësisë.
Ndërkaq, për shkak të numrit të madh të të diplomuarve në raport me kërkesat dhe nevojën e tregut, kemi zbritur numrin e studentëve: në drejtimet e Ekonomisë, Juridikut dhe në drejtimet e Edukimit.
Kjo për arsye të numrit të madh të programeve në këto fusha: 5 fakultete juridike, 5 ekonomike/biznes dhe 5 të edukimit në sektorin publik si dhe raporti i pavolitshëm student-mësimdhënës në këto tri fusha.
Zvogëlimi i numrit të studentëve shpie në rritje të cilësisë, për shkak të përzgjedhjes por edhe kujdesit që i kushtohet nevojave individuale të studentëve. Andaj, përqendrimi duhet të jetë në ofrimin e arsimimit cilësor dhe jo në rritje artificiale të numrave.
Uroj që të rinjtë tanë që synojnë të vazhdojnë studimet, të gjejnë hapësirën e nevojshme për t’u bërë pjesë e universiteteve publike këtë vit në programet që dëshirojnë dhe i shohin si mundësinë më të mirë për të ardhmen e tyre!