Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci thotë se vizioni i Ministrisë së ajo drejton është që, Kosova të ketë një shoqëri konkurrente e të dijes, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe me potencial për t’i kontribuar zhvillimit socio-ekonomik të vendit.
Njoftimi i plotë:
Arsimi mundësi dhe burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës
Në një punëtori produktive strategjike, bashkë me Kryeminstrin e Kosovës Albin Kurti, Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Punës e Transfereve Hekuran Murati, Zëvendësministrat Dukagjin Pupovci e Edona Maloku Bërdyna si dhe kolegë nga kabinetet tona diskutuan për operacionalizimin e planit të MAShTI në zhvillimin e arsimit, shkencës e inovacionit në vitet e ardhshme.
Vizioni i Ministrisë sonë është që Kosova të ketë një shoqëri konkurrente e të dijes, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe me potencial për t’i kontribuar zhvillimit socio-ekonomik të vendit. Puna jonë karakterizohet me tri fjalë kyçe mbi të cilat veprohet: cilësi, gjithëpërfshirje dhe llogaridhënie në sistemin arsimor të Kosovës.
Në funksion të kësaj qasjeje dhe bazuar në qëllimet e veta strategjike, MAShTI parasheh që deri në fund të mandatit të qeverisë Kurti të ketë këto arritje kryesore:
➡️ Rritje domethënëse të pjesëmarrjes në edukimin e hershëm dhe përfshirjes në arsim përmes ndërtimit të çerdheve të reja dhe adaptimit të infrastrukturës ekzistuese, licencimit të çerdheve private, vetëdijësimit për rëndësinë e edukimit parashkollor dhe masave favorizuese për grupet e margjinalizuara
➡️ Përmirësim të cilësisë së arsimit, më fokus në vlerësimet e jashtme të institucioneve edukativo-arsimore, licencimit të mësimdhënësve, përmirësimit të cilësisë se teksteve shkollor, digjitalizimit dhe rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare.
➡️ Përputhje të programeve në arsimin profesional dhe në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës dhe në përmbushje të standardeve të cilësisë duke mbështetur punën praktike, këshillimin në karrierë dhe akreditim të duhur.
➡️ Rritje të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, me theks të veçantë në përmirësimin e menaxhimit të institucioneve edukativo-arsimore, mbikëqyrje të financimit dhe rekrutim mbi bazën e meritokracisë.
➡️ Një sistem të mirëfilltë të kërkimit shkencor dhe inovacionit, ku pjesëmarrja në programin kryesor të Bashkimit Europian “Horizon Europe” dhe skemat tjera ndërkombëtare maksimizohet në funksion të zhvillimit të ekosistemit të kërkimit e inovacionit në Kosovë.
Në mbështetje të këtij plani, Kryeministri Kurti vlerësoi punën e deritashme të Ministrisë dhe u zotua për përkrahje të plotë në realizimin e qëllimeve të vëna.