Me 74 vota për janë miratuar rekomandimet për raportin e auditimit lidhur me pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020, për të cilat rekomandime, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se disa nga to tashmë veçse kanë filluar të zbatohen.
Ajo theksoi se tashmë është ndërprerë pagesa për 32 zyrtarëve të komunitetit serb si zyrtarë të ish mbrojtjes civil për të cilët kishte gjetur edhe raporti i Auditorit se nuk janë prezent në punë.
Arsyetimin për votim të këtyre rekomandime e ka dhënë edhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami.
Ndër rekomandimet që u hodhën në votim ishte edhe porosia me kohë e librave që të mos ketë vonesa për shpërndarje te nxënësit.
“Përmirësimi dhe avancimi i sistemit aktuale SMIA në aspektin teknologjik në mënyrë që të mos mund të ndërhyhet në sistem ose të mbesin gjurmë se kush ka bërë ndërhyrje. Dhe rekomandimi fundit porosia e librave të bëhet me kohë dhe të mos ketë vonesa gjithmonë duke u bazuar në numrin e regjistruar të nxënësve në sistemin SMIA dhe të ketë një fond rezerv prej 10% të librave nëse këto libra nuk shpenzohen gjatë vitit aktuale mund të përdoren në vitin pasues. Ky rekomandim”, tha Bajrami.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami kritikoi ministrat se nuk po iu përgjigjen për raportim para komisioneve të Kuvendit. Ajo me theks të veçantë e përmendi edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Shprehin një shqetësim për mospërgjigjen e ministrave të Qeverisë sidomos në Komisionin për Mbikëqyrje të financave publike. Këtë raport e kemi shqyrtuar pa prezencën e ministres kemi informacione që në kohën se kur është shqyrtuar raporti ministrja ka zgjedhur të vizitoj një shkollë në Vranjevc përkundër faktit që raportin e kemi shtyrë disa herë, kryetar me mirësjellje kërkoj prej jush prej Qeverisë që ministrat të jenë pjesë dhe të raportojnë në Komisionin për Mbikëqyrje të financave publike sepse po bëjmë përpjekje të gjithë të gjejmë zgjidhje më të mira për adresimin e çështjeve”, theksoi ajo.
Pas kësaj reagoi vetë ministrja Nagavci duke thënë se çdoherë është përgjigjur sa herë që është ftuar për raportim në Komisionet Parlamentare.
“Unë jam ftuar dy herë në Komisionin për Mbikëqyrje të financave publike njëherë kam marr pjesë personalisht vetë dhe një herë ka marr zëvendësministri Pupovci. Dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë prej komisioneve që kur ne jemi ftuar si ministri të mos marrim pjesë dhe po ashtu që t’i kërkojmë shtyrje t mbajtjes së Komisionit, dhe po ashtu pozitivisht I jemi përgjigjur pozitivisht secilës kërkesë të grupeve parlamentare për mbikëqyrje të ligjeve të caktuara. Edhe ky raport është shqyrtuar dhe prezent ka qenë zëvendësministri bashkë me zyrtarët e ministrisë që janë përgjegjës”, theksoi ajo.
E duke folur për raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të vitit 2020, Nagavci tha se tashmë disa nga këto rekomandime kanë nis të zbatohen.
“Pagesa e 32 zyrtarëve të komunitetit serb si zyrtar të ish mbrojtjes civil në vlerë prej 135 mijë e 760 eurove ashtu siç besoj jeni n njohur janë ndaluar pagesat për këta zyrtar dhe të gjithë janë lajmëruar në MASHT dhe kanë thënë se gjatë gjithë këtyre viteve askush asnjëherë nuk i ka kontaktuar dhe nuk ka kërkuar asnjë -punë dhe përgjegjësi nga ta, kjo gjë është edhe njëri nga rekomandimet që do të zbatohet në tërësi dhe nuk do ketë situata të tilla të keqpërdorimit të buxhetit”, tha Nagavci.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se këtë raport e mbështesin por kërkojnë menaxhim më të mirë të financave publike nga përgjegjësitë në MASHT.
“Ne si grup parlamentar do ta votojmë raportin e Auditorit por kërkojmë nga përgjegjësitë e ekzekutivit të MASHT-it të bëjë menaxhim më të mirë të financave publike dhe të jetë më transparent dhe llogaridhënës në punën e tyre dhe të keni vëmendje të shtuar në shpenzimin e parasë publike ”, u shpreh Hoxha.