Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm vjen nga fusha e muzikës, ku talenti i ri nga Mitrovica, Arbenita Ibrahimi, ka arritur një rezultat të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Gjatë vitit akademik 2025/2026, 13-vjeçarja ishte studente në International Piano Balkan Academy “Sigismund Thalberg”, ku ndoqi mësime të vazhdueshme nën mentorimin e profesorit të njohur italian Giuseppe Devastato, shkruan AlbanianEducation.net.
Në ceremoninë e diplomimit të mbajtur së fundmi, Arbenita përfundoi me sukses programin e specializimit, duke fituar Diplomën e Virtuozitetit me notën maksimale 10.0, vlerësimi më i lartë i mundshëm në këtë program.

Si rezultat i përkushtimit dhe arritjeve të saj artistike, ajo është shpërblyer me bursë studimi nga Accademia Musicale Europea në Itali, Trinity College në Angli, si dhe për programe të veçanta në Kosovë.

Përveç kësaj, pianistja e re është përzgjedhur si fituese për pjesëmarrje në disa koncerte ndërkombëtare jashtë vendit, duke krijuar mundësi të reja për prezantimin e talentit të saj në skena prestigjioze evropiane.

Arbenita Ibrahimi është nxënëse e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” dhe “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, ku vazhdon të zhvillojë talentin e saj në piano.
Ky sukses dëshmon përkushtimin, talentin dhe punën e palodhshme të pianistes së re, e cila po e përfaqëson me dinjitet Mitrovicën dhe Kosovën në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike.
