Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për talentet e reja të muzikës në Kosovë. Arbenita Ibrahimi, 13-vjeçare nga Mitrovica, është shpallur fituese e Çmimit të Parë Absolut në garën prestigjioze “Mitrovica International Classical Competition”, duke arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh në kategorinë e saj, shkruan AlbanianEducation.net.
Përveç këtij vlerësimi të lartë, Arbenita ka triumfuar edhe në finalen e konkursit, ku është nderuar me Çmimin e Jurisë, një vlerësim që dëshmon nivelin e saj të lartë artistik dhe interpretues.
Arbenita është nxënëse e shkollës së muzikës Tefta Tashko dhe Andon Zako Çajupi, ku po zhvillon talentin e saj muzikor me përkushtim dhe rezultate të shkëlqyera.
Ky sukses konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për Arbenitën dhe familjen e saj, por edhe për shkollat që ajo përfaqëson dhe për qytetin e Mitrovicës, i cili vazhdon të nxjerrë talente të dalluara në fushën e artit dhe kulturës.
Urime Arbenitës për këtë sukses të merituar dhe shumë arritje të tjera në rrugëtimin e saj artistik.


