Instituti ATOMI sot ka hapur thirrjen për aplikim në trajnimin “Identifikimi dhe përkrahja e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente”.
Trajnimi “Identifikimi dhe përkrahja e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente” është Program Themelor i trajnimit për Mësimdhënës/e të Karrierës, me gjithsej 40 orë trajnimi, i aprovuar (akredituar) për herë të parë nga MASHTI, përkatësisht KSHLM (vendimi nr. 002/2018, i datës 23.01.2018) i cili zbatohet nga Instituti ATOMI (ATOMI – Instituti Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme), ndërsa përkrahet financiarisht nga MASHTI. Grupi i synuar për të cilin është dizajnuar ky trajnim janë të gjithë mësimdhënësit/et e karrierës, të cilët/at janë të kyçur/a në procesin e mësimdhënies në nivelin Fillor dhe të Mesëm të Ulët në Kosovë.
Qëllimi i këtij trajnimi është që të ngriten kapacitetet dhe shkathtësitë e mësimdhënësve për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë. Përmbajtja e këtij programi të trajnimit ndërlidhet drejtpërsëdrejti me arritjen e standardeve të kërkuara për mësimdhënësit e karrierës të cilat specifikohen në Kornizën Strategjike për zhvillimin e mësimdhënësve në Kosovë.
Kush mund të aplikojë?
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë mësimdhënësit/et në marrëdhënie të rregullt pune në institucione publike të arsimit, specifikisht mësimdhënësit/et që punojnë në nivelin Fillor dhe të Mesëm të Ulët në Kosovë.
Kriteret për aplikim:
– CV;
– Letër motivimi (min. 500 fjalë);
– Dëshmia e angazhimit në punë nga punëdhënësi/ kontrata e punës);
– Të paktën 2 vite përvojë pune në institucione edukativo-arsimore;
– Njohja e gjuhës angleze është përparësi;
– Të jesh mësimdhënës/e në shkollë që nuk ka staf të trajnuar me këtë program të trajnimit konsiderohet përparësi.
Afati dhe mënyra e aplikimit:
Të gjithë të interesuarit/at për pjesëmarrje në këtë program trajnimi mund të aplikojnë deri më datë 05 mars 2023, duke dërguar dokumentet e cekura më lartë (Kriteret për aplikim) në e-mail adresën [email protected].
Për më shumë informacione rreth programit të trajnimit, klikoni në linkun vijues:
Shënim me rëndësi:
Ky trajnim do të ofrohet për gjithsej 40 mësimdhënës/e, 20 të nivelit fillor dhe 20 të nivelit të mesëm të ulët.
Për pyetje të tjera lidhur me trajnimin në fjalë, na shkruani në [email protected].
Duke marrë për bazë se DKA-të janë në kontakt të vazhdueshëm me shkollat dhe duke dashur të informojmë sa më shumë mësimdhënës rreth kësaj mundësie, me mirësjellje ju kërkojmë nëse mund t’i informoni drejtorët e shkollave lidhur me trajnimin në fjalë.
Suksese te gjitheve!