Dy nxënëse të shkollës “Dituria” në Dardani të Ferizajt kanë shënuar një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre arsimor, duke fituar bursa të plota (100%) për vijimin e shkollimit të mesëm në dy kolegje të njohura, ka njoftuar shkolla.
Sipas njoftimit të shkollës, Amela Sylejmani dhe Albina Karaliti do të ndjekin arsimin e mesëm me mbështetje të plotë financiare për tre vitet e ardhshme, falë rezultateve të larta dhe angazhimit të tyre në mësime.
Shkolla vlerëson se ky sukses është rezultat i përkushtimit, punës së palodhshme dhe disiplinës së dy nxënëseve, të cilat gjatë gjithë rrugëtimit të tyre shkollor janë dalluar për arritjet dhe seriozitetin në procesin mësimor.
Përveç këtij suksesi, nxënësja Amela Sylejmani ka arritur edhe një rezultat tjetër të rëndësishëm, duke u renditur në mesin e 10 nxënësve më të mirë në Komunën e Ferizajt në Testin e Arritshmërisë.
Drejtoria e SHFMU “Dituria” u ka shprehur urimet më të sinqerta Amelës dhe Albinës për këtë arritje, duke theksuar se suksesi i tyre është një motivim edhe për nxënësit e tjerë. Njëkohësisht, shkolla ka falënderuar familjet dhe mësimdhënësit për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në formimin dhe zhvillimin e tyre akademik.
Nga kjo shkollë u është uruar dy nxënëseve suksese të mëtejshme në kapitullin e ri të arsimit të mesëm dhe në rrugëtimin e tyre të ardhshëm akademik.