4,532 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore janë refuzuar nga koordinatorët e shkollave, të cilët këtë vit po bëjnë verifikimin e nxënësve që kanë të drejt të subvencionohen.
Koordinatorët nëpër shkolla kanë verifikuar 196,405 aplikime, nga të cilat 191,873 janë aprovuar.
Këto statistika i ka ndarë Ministria e Arsimit për KALLXO.com, më 11.09.2025, sipas të cilëve, deri më tani gjithsej janë 202,291 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore.
Siç e ka konfirmuar edhe MASHTI, 5,886 aplikime pritet që të verifikohen nga koordinatorët e shkollave.
Nga MASHTI thonë se buxheti i ndarë për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore në vitin shkollor 2025/26, është në vlerë prej 12,800,000 euro.
“Pagesat e realizuara të fazës së parë dhe dytë, janë në vlerë prej 12,800,000 euro. Numri i prindërve që janë në pritje që t’iu ekzekutohet subvencionimi është 21,198 dhe vlera e pagesës është 1,695,760 euro”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, më 11.09.2025.
Nagavci kishte njoftuar më 21.08.2025 se janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore.
Ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit e aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, veçse këtë herë po i subvencionon me nga 80 euro nxënësit e klasave 1 – 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe 80 euro për nxënësit e klasave 6 – 9 për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, disa prindër u ankuan për vlerën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, pasi e konsideruan të pamjaftueshme.
Aplikimi për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore bëhet në platformën e-Kosova nga prindërit, i cili u hap më 15.08.2025.
Secila shkollë ka koordinatorin e shkollës i cili e ka mundësinë që në sistemin e platformës e-Kosova t’i filtrojë prindërit që aplikojnë për subvencionim duke deklaruar se i kanë fëmijët në atë shkollë.
Koordinatori i shkollës ka mundësi teknike që të mos e aprovojë subvencionimin po qe se prindi nuk e ka fëmijën në atë shkollë e deklarohet si i/e tillë.
Buxheti i ndarë për subvencionim në dy vitet e kaluara
Në vitin 2023, Ministria e Arsimit i subvencionoi nxënësit e klasave 1-5 me nga 80 euro, 50 euro për tekstet shkollore dhe 30 euro për mjetet mësimore.
Ndërsa për nxënësit e klasave 6-9, pasi u llogarit se i kishin librat e siguruara nga viti paraprak, u ndanë nga 30 euro vetëm për mjetet mësimore.
Për vitin shkollor 2023/2024 buxheti i ndarë për subvencionim të blerjes së librave ka qenë 12,251,450 euro.
8,167,220 euro më shumë u ndanë për vitin pasues, pra 2024/2025. KALLXO.com kishte raportuar më 06.09.2024 se Ministria e Arsimit i ka ndarë 20,418,670 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Ndryshe nga subvencionimi i blerjes së teksteve shkollore në vitin shkollor 2023/2024, për atë 2024/2025 prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 u subvencionuan me 80 euro për blerjen e librave, kurse prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 u subvencionuan me 110 euro.
Për subvencionim të blerjes së librave në vitin 2024, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka gjetur 60,000 euro keqpërdorim në 22 shkolla, ndërsa ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “Kallxo Përnime” më 03.08.2025pretendon se ka prindër që i kanë kthyer mjetet e subvencionimit nëse i kanë keqpërdorur.