Me gjithë faktin se kanë mbetur vetëm 4 ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ende nuk ka ekzekutuar subvencionin prej 80 eurosh për prindërit, i cili ishte premtuar për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore, shkruan AlbanianEducation.net.
Procesi i aplikimit për subvencion ka nisur me vonesë në platformën e-Kosova, ndërsa shumë prindër po përballen me paqartësi rreth afatit të pagesës.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin se shuma prej 80 eurosh është e pamjaftueshme për të përballuar koston reale të librave dhe mjeteve të nevojshme mësimore, veçanërisht për familjet me më shumë fëmijë në sistemin shkollor.
Nënkryetarja e SBASHK, Vjollca Shala, ka deklaruar se procesi i rimbursimit është i vonuar dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e vitit shkollor.
“Meqenëse është bërë aplikim, por akoma nuk e dimë a ka filluar rimbursimi me mjete, por edhe nëse ka filluar është shumë vonë ngase është paksa e vështirë që të arrijnë të gjithë prindërit e fëmijëve të Kosovës, gjithë nxënësve të Kosovës që diku i kemi rreth 203,000 nxënës në këtë vit shkollor të pajisen me libra dhe mjete të tjera mësimore që javën e parë. Unë e them që javën e parë e mos të flasim që ditën e parë. Derisa viteve të kaluara kur u blenin librat dhe u dërgoni në shkolla para 1 shtatorit, që me 1 shtator mësimdhënësit kishin për detyrë vetëm t’ua shpërndanin klasave të tyre ato libra. Që do të thotë që me 1 shtator nxënësit ishin të pajisur me libra”, tha ajo.
Duke u bazuar në përvojën e dy viteve të fundit, Shala ka thënë se edhe pas subvencionimit, shumë nxënës kanë shkuar pa libra gjatë gjithë vitit shkollor.
“Nga përvoja që e kemi edhe nga dy vitet e kaluara e kemi parë se ka pasur në mesin e nxënësve që ndoshta edhe gjatë gjithë vitit shkollor nuk kanë qenë të pajisur me libra. Përkundër asaj që është bërë ndoshta subvencionimi i atyre mjeteve, nxënësit kanë shkuar pa libra. Përveç ata që kanë qenë me kushte paksa më të rënda ekonomike, ndoshta që i kanë shfrytëzuar ato mjete për produkte elementare për jetës, ato familje dhe nuk ju kanë blerë libra nxënësve, fëmijëve të tyre. Kemi pasur edhe probleme, ngase pothuajse të gjithë nxënësit që muajin e parë nuk kanë qenë të pajisur me tekste dhe mjete të tjera mësimore”.
/AlbanianEducation.net/.