Pavarësisht se në institucionet shkollore ndërmjet hallkave prindër-mësues-nxënës ka aktorë të tjerë të cilët forcojnë ose prishin stabilitetin e kësaj marrëdhënie, sërish duhet thënë që pa këtë trinom shkolla ngjan si një qendër tregtare ku dikush “shet”, dikush ” blen” e dikush gjendet aty krejt rastësisht.
Figura e mësuesit prej vitesh është përshkruar në bazë të përvojave që nxënësit dhe prindërit e tyre kanë pasur nga bashkëpunimi me ta.
Çdo prind me fëmijët në moshë shkolle, bashkëpunimin e parë të ditës e nis me një mësues/mësuese.
Komunikimi me mësuesin ndërton një marrëdhënie besimi e sigurimi të fëmijës, njeriut më të shtrenjtë për prindin. Çdo prind është në gjendje të kuptojë dhe njohë potencialin profesional dhe personal të mësuesit, pavarësisht se shpesh mësuesit rastësisht janë mësues të fëmijës së tyre.
Shkolla është institucion dhe si i tillë funksionon në bazë të bashkëpunimit të disa hallkave. Ndër ta, më të rëndësishmet prindër- mësues- nxënës.
Pavarësisht se ndërmjet këtyre hallkave ka aktorë të tjerë të cilët forcojnë ose prishin stabilitetin e kësaj marrëdhënie, sërish duhet thënë që pa këtë trinom shkolla ngjan si një qendër tregtare ku dikush “shet”, dikush ” blen” e dikush gjendet aty krejt rastësisht.
Sa e vështirë është sot të kuptosh cili është mësues?
Sa e vështirë është rruga për t’u shkolluar, kualifikuar dhe punësuar si mësues?
A janë të gjithë “mësues” ata që punojnë si mësues?
Nëse krahasojmë mësuesit e dikurshëm sot mësues në pension, me mësuesit që punojnë sot si të tillë cili është modeli më i mirë?
Përse duhet bërë kjo analizë pikërisht sot?
Çdokush që ka mbaruar procesin e shkollimit të tij (në çdo lloj niveli) sigurisht që ka një përcaktim mbi figurën e mësuesit.
Ky përcaktim i mbledhur bashkë, ka ndarë opinionin publik madje dhe vetë mësuesit në disa grupe:
ata që mendojnë se mësuesit në çdo kohë kanë vuajtur gjatë kohës së punës,
ata që mendojnë se mësuesit punojnë pak orë në ditë e bëjnë shumë pushime gjatë vitit,
ata që mendojnë se në çdo shkollë ka mësues të mirë sikuse dhe të këqij,
ata që mendojnë se mësuesit shkojnë në punë vetëm për të marrë rrogën,
ata që mendojnë se mësuesit janë të korruptuar; marrin pará dhe vënë nota preferenciale për nxënës preferencialë
ata që mendojnë se mësuesit janë heronj që përballojnë këtë brez të vështirë fëmijësh e të rinjsh,
ata që mendojnë se mësuesit janë më të përdorurit nga çdo pushtet,
ata që mendojnë se mësuesit janë mësues sepse nuk dinë të bëjnë asnjë profesion tjetër…
Ndërkohë që opinioni publik njëkohësisht komunitet prindërish, ditë pas dite kryqëzon pas vlerësimit të tij të gjithë mësuesit, midis këtyre mësuesve është edhe ai që më shumë kohë, vëmendje, motivim, përkrahje, i jep fëmijës së këtyre prindërve sesa fëmijës së vet.
E megjithëse i paragjykuar, mësuesi robotizohet në çdo ditë pune duke kryer njëherësh punën e prindit dhe duke i dhënë nxënësit kohë produktive suportuese jo vetëm për probleme që kanë të bëjnë me shkollën.
Nëse do të shohësh telefonin e një mësuesi dhe të një prindi, cili mendoni se ka më tepër komunikim në interes të shkollimit dhe edukimit të fëmijës, me fëmijën?
Këtu sigurisht po prek sedrën e atyre prindërve të cilët fëmijën e tyre ja kanë besuar vetëm mësuesve, sepse edhe pas shkolle i “mbyllin” në tjetër shkollë që fëmijët të bëjnë detyrat dhe në shtëpi të shkojnë vetëm për të fjetur.
Ja pra, që mësuesit qenkan edhe të domosdoshëm…
U dashkan atëherë kur shoqëria, opinioni publik është i zënë me punë. Sepse ndërkohë që punojnë nuk harrojnë që aty ku janë e ata që janë u bënë prej një armate mësuesish.
Marrë nga Portali Shkollor