Adoleshentët shpesh shfaqin sjellje të rrëmujshme, agresive dhe pa etikë, duke sfiduar shkollën dhe familjen. Shkaqet lidhen me mungesën e modelit pozitiv, presionin e grupit, rrjetet sociale dhe krizën e identitetit. Shkolla e familja duhet të bashkëpunojnë për parandalimin.
Ngatërrojnë hapat me njëri-tjetrin, flasin mbi njëri-tjetrin dhe midis fjalëve të njëri-tjetrit fshehin vulgaritetin e fjalorit të tyre drejtuar kujtdo dhe ndonjëherë pa adresë.
Duke u konsideruar si periudha tranzitore e njeriut, shpesh harrojmë që brenda dëshirës për të justifikuar një etapë jetësore, ( adoleshencën) kultivojmë një gjeneratë problematike gati devijante.
Adoleshentët po përfaqësojnë gjithnjë e më tepër një gjeneratë që po injoron komunikimin, diskutimin, sjelljen normale.
Dikush fajëson shkollën për këtë gjendje, të tjerë përgjegjëse bëjnë familjen…
Ndërkohë në shkolla mësuesit ndeshen çdo ditë me sjellje të cilat i kapërcejnë kufijtë e normalitetit dhe perceptimit normal mbi sjelljet e lejuara në shkollë ( dhe jo vetëm).
U mësuam të pranojmë se mund edhe të kthejmë kokën në krahun tjetër nga turpi prej çka dëgjojmë e shohim; ndonjëherë sfidojmë duke debatuar e shpallur luftë me fenomenin, forcojmë e përmirësojmë Rreguroren e Brendshme të Shkollës me bindjen se disiplinimi mund të zgjidhë diçka.
Të diskutosh me kolegë mësues, midis tyre do të gjesh edhe të dorëzuar. Më të duruarit ende sfidojnë duke u përpjekur çdo ditë të ndryshojnë gjendjen.
Ndërkohë, çdo ditë në shkolla ka nxënës agresivë, pa etikë, bullizues, abuzivë, të gatshëm për të qenë devijantë në rastin më të parë.
Në përpjekjen për të njohur shkaqet, secili prej nesh që punon mësues klasifikon këto shkaqe:
- Mungesa e modelit pozitiv në familje, shoqëri, shkollë i shtyn adoleshentët të mos respektojnë normat etike.
- Ndikimi i shokëve shpesh i bën ata të imitojnë sjellje të papërshtatshme.
- Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale çon në humbjen e kufijve të respektit.
- Mungesa e vëmendjes prindërore në edukimin e adoleshentit ndikon në sjellje joetike.
- Kërkimi për vëmendje shpesh i bën adoleshentët të sfidojnë normat.
- Mungesa e komunikimit në familje sjell rebelim dhe mungesë respekti.
- Presioni i grupit shpesh është më i fortë se vlerat personale.
- Shfaqja e dhunës në familje apo shoqëri i bën adoleshentët më të prirur për të imituar sjellje jo etike.
- Krizat emocionale dhe kërkimi i identitetit shpesh i shtyjnë drejt sjelljeve të papërshtatshme.
Pra sjelljet pa etikë të adoleshentëve nuk lindin rastësisht, por janë pasojë e kombinimit të faktorëve familjarë, shoqërorë dhe personalë.
Për t’i parandaluar, është e nevojshme që familja dhe shkolla të kenë të njëjtën predispozitë për t’i ekzaminuar, vlerësuar dhe trajtuar sjelljet agresive të adoleshentëve që e kanë kthyer shkollën në një ambjent të ashpër social ( ndryshe nga ç’mision ka dhe duhet të ketë ajo).
© Portali Shkollor –