Gazetarja dhe prezantuesja e edicionit informativ në RTK, Alketa Gashi Fazliu, është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar për Gazetari Etike (Premio Internazionale di Giornalismo Etico), në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Kulturës në Romë, ndërsa çmimi u nda nga shoqata ‘VerbumlandiArt APS’, me presidente Regina Resta dhe presidente të çmimit Incoronata Boccia.
Ky çmim prestigjioz iu nda në prani të gazetarëve të njohur ndërkombëtarë, përfaqësuesve institucionalë dhe senatorëve, duke vlerësuar kontributin e saj në gazetarinë profesionale dhe të përgjegjshme.
Sipas motivacionit të jurisë, Fazliu u nderua “për profesionalizmin, besueshmërinë dhe përkushtimin me të cilin ushtron rolin e gazetares dhe prezantuese së edicionit informativ të RTK-së në Kosovë, duke përfaqësuar një pikë referimi autoritative për informimin publik”.
Në arsyetim të ndarjes së këtij çmimi theksohet se “ajo dallohet për qartësinë në paraqitje, balancën narrative dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj saktësisë së burimeve, duke kontribuar në një komunikim të përgjegjshëm dhe të kuptueshëm edhe në kontekste komplekse”.
Gjithashtu, u vlerësua se puna e saj forcon rolin e transmetuesit publik dhe rëndësinë e gazetarisë si instrument thelbësor për transparencë, besim dhe kohezion demokratik.
E vetë gazetarja u shpreh e emocionuar për marrjen e këtij çmimi. “Sot ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime”, ka shkruar ajo në Facebook.
