Alessio Mancellari me origjinë shqiptare fiton bursën prestigjioze të Interkulturës në Kinë

- Advertisement -

Alessio Mancellari, 17-vjeçari me origjinë shqiptare nga Përmeti, që jeton në Asti, fitoi bursën prestigjioze të Interkulturës për të ndjekur një vit shkollor në Kinë. Ai është një nga tetë të rinjtë italianë që do të jetojnë këtë përvojë unike ndërkulturore gjatë vitit 2025.

- paragrafi 1 -

Një ëndërr që bëhet realitet për Alessio Mancellarin, 17-vjeçarin me origjinë shqiptare nga Përmeti, që jeton dhe studion në qytetin italian të Astit. Nxënës në vitin e tretë në gjimnazin shkencor “F. Vercelli”, Alessio ka fituar një nga bursat më të lakmuara të Fondacionit Intercultura dhe Fondacionit Cassa di Risparmio di Asti, që do t’i mundësojë atij të ndjekë një vit shkollor në Kinë.

- Advertisement -

Ceremonia e dhënies së bursës u zhvillua në ambientet e Fondacionit Cassa di Risparmio, në prani të familjes së Alessios dhe përfaqësuesve të institucioneve të përfshira. Ky projekt i rëndësishëm, që nga viti shkollor 2014-2015 ka ndihmuar mbi 15 të rinj nga Asti të përjetojnë përvoja ndërkulturore jashtë Italisë, synon të formojë qytetarë globalë me mendje të hapur dhe të pajisur me aftësi që tejkalojnë kufijtë kombëtarë.

Presidenti i Fondacionit Cassa di Risparmio di Asti, Livio Negro, e cilësoi këtë bursë si një investim strategjik për të ardhmen: “Këto programe nuk i përgatisin të rinjtë vetëm për sfidat e së nesërmes, por ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më mirëkuptuese ndaj kulturave të ndryshme.”

Edhe kryetari i Bashkisë së Astit, Maurizio Rasero, i drejtoi fjalë inkurajuese Alessios, duke e cilësuar fatlum dhe të aftë: “Të gjithë kemi pasur ëndrra në moshën tënde. Tani ti ke një mundësi të artë për ta jetuar një nga to.”

- Advertisement -

Për vetë Alession, emocionet janë të mëdha. Ai e përshkroi këtë mundësi si “një ëndërr që po realizohet”. Gjatë qëndrimit në Kinë, ai do të ndjekë mësimet në gjuhët angleze dhe kineze dhe po përgatitet intensivisht për nisjen që është planifikuar në fund të muajit gusht.

Ndërkohë, Intercultura, një nga organizatat më të mëdha vullnetare në Itali, me mbi 4 mijë vullnetarë dhe 107 qendra në vend, po feston 70-vjetorin e saj, duke vazhduar misionin për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin ndërkulturor mes të rinjve të botës. Sipas një studimi të fundit të kryer nga IPSOS, 97% e të rinjve që marrin pjesë në këto programe përmirësojnë ndjeshëm aftësitë e tyre sociale, 89% bëhen më të pavarur dhe 74% ndihen më të përgatitur për sfidat e kohës moderne.

Në këtë valë ndërkombëtarizimi, Alessio Mancellari është një nga tetë të rinjtë nga Asti që do të përfitojnë këtë vit nga programet e Interkulturës. Ai shquhet jo vetëm për rezultatet e tij akademike, por edhe për një kureshtje të gjallë ndaj kulturave të tjera, një vlerë që ndoshta e mbart edhe nga rrënjët e tij shqiptare.

Alessios, është një tjetër shembull frymëzues i brezit të ri shqiptar që po ecën përpara me talent, guxim dhe vizion, duke përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptar në diasporë dhe duke ndërtuar ura të reja mes popujve.

Përmes kësaj eksperience të jashtëzakonshme, Alessio nuk do të jetë vetëm një nxënës në Kinë, ai do të jetë një ambasador i të rinjve të Astit dhe, ndoshta, i të gjithë të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të prekin botën me dijen dhe kulturën e tyre.

©Portali Shkollor-