Alesia, 9-vjeçarja nga fshati Boshanj i Kolonjës, tashmë ka një mësuese dhe nuk i fsheh emocionet. “Jam shumë e lumtur”, tha vogëlushja.
Për të shkolla nuk filloi më 11 shtator, si për gjithë bashkëmoshatarët, por një javë pasi historia u publikua në Report TV. Drejtoria Arsimore emëroi mësuesen pas apelit të vogëlushes dhe nënës së saj.
Nga portali u përzgjodh Ena Elezi, e cila orën e parë të mësimit në profesionin e mësueses e dha për Alesian.
Mësuesja e sapoemëruar udhëton çdo ditë nga Korça në fshatin Boshanj të Ersekës për t’i dhënë mësim nxënëses së klasës së katërt.
Ena Elezi thotë se ora e parë e mësimit shkoi mirë, por si vështirësi për punën e saj nuk e sheh klasën bosh, por rrugën e amortizuar dhe kushtet e pakta të shkollës.
“Jam përzgjedhur përmes portalit dhe sot kam ditën e parë të punës. Vështirësia është më shumë për rrugën sepse është e paasfaltuar. Edhe në shkollë mungojnë kushtet”, tha ajo.
Nëna e Alesias, falenderon Report tv që publikoi shqetësimin e saj sepse sot ka një mësuese për të bijën.
Shpopullimi ka bërë që në fshatin Boshanj të mbetet vetëm një nxënëse, Alesia, ndërsa godina e shkollës është tejet e rrënuar. Në këto kushte Drejtoria Arsimore e Kononjës kishte vendosur ta mbyllte shkollën dhe ta transferonte 9-vjecaren në shkollën e Ersekës, 20 kilometra larg fshatit të saj.
Nëna refuzoi dhe kërkoi arsimim në fshat për të bijën. Pas apelit në Report TV, Drejtoria Arsimore e Kolonjës reagoi duke emëruar menjëherë një mësuese në shkollën me një nxënës!