Është e diplomuar në Fakultetin e Edukimit, por nuk e praktikon aktualisht profesionin e saj në institucionet e vendit. Thotë se ka zgjedhur t’i përkushtohet 3 vajzave të saj, rrites dhe edukimit të tyre, dhe njëkohësisht biznesit të saj online ku shet materiale për fëmijë të cilat i punon vetë.
Kjo është Alba Gashi-Hajredini nga Gjakova, e cila në një intervistë dhënë për median “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) tregon sa është e vështirë sot të jesh nënë dhe njëkohësisht ndërmarrëse, tregon për aktivitetet që bën me vajzat në rrjetet sociale, si dhe ka një mesazh për nënat e reja.
Lexoni mëposhtë intervistën e plotë:
Një prezantim i juaj, kush jeni, familja?
Përshendetje, jam Alba Gashi Hajredini, nënë e 3 vajzave. E diplomuar në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Edukimit, momentalisht nuk e praktikoj profesionin tim në institucione sepse kam zgjedh ta praktikoj fillimisht me fëmijët e mi, të kujdesem për rritjen dhe edukimin e tyre, por njëkohësisht jam edhe ndërmarrëse, punoj online në shitjen e materialeve për fëmijë të cilat i kam punuar vetë.
Sa është e vështirë sot që një nënë të ketë fëmijë dhe të zhvillojë karrierë?
Unë kam pasur fatin dhe jam e lumtur që kam zgjedh profesionin e edukatorës sepse kjo më ka ndihmuar që të kem njohuri më shumë, ta vlerësojë dhe kuptoj edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Prandaj fillimisht kam zgjedh rritjen dhe edukimin e fëmijëve por duke e menduar dhe punuar për karrierë. Që të dyja janë të realizueshme në jetë. Unë kam pasur fatin që ta kem edhe bashkëshortin ndihmës dhe përkrahës në çdo hap dhe kjo ka rëndësi që të jesh e suksesshme në të dyja. Unë kam arritur kënaqësinë e suksesit dhe rritjen dhe edukimin e fëmijëve të mi.
Ju keni aktive në rrjetet sociale ku tregoni aktivitete për vajzat. Na flisni pak për këtë?
Po, unë me vajzat e mia zhvillojmë aktivitete të ndryshme, që ndikojnë në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe duke e menduar që ti inspirojmë edhe nënat tjera kemi filluar ti publikojmë në rrjetet sociale. Mendoj që vendimi për ti publikuar ka qenë i drejtë sepse nga dita e parë ne marrim shumë mesazhe nga nënat, edukatoret që janë motivuar dhe se tani ato kanë ku të marrin ide për realizimin e aktiviteteve për fëmijët e tyre.
Çfarë mesazhi keni për nënat e reja?
Mesazhi për nënat e reja: Familja ka vlerat më të veçanta se çdo gjë tjetër, prandaj si të tillë duhet ti japim prioritet. Lidhja e fëmijës me prindin e forcon mirëqenien e fëmijës, prandaj të kalojnë kohë cilësore me fëmijët, të bisedojnë, ti këshillojnë, të luajnë, ti pyesin si kaluan gjat ditës, a kishte diçka që i mërziti apo që i gëzoi sepse në këtë mënyrë prindi e kupton gjendjen emocionale të fëmijës, gjë e cila ka shumë rëndësi. Edukimi i fëmijëve është një proces i vështirë që kërkon shumë sakrific e angazhim prindëror, familjar e shkollor. Një gjë është e sigurt: Sa sakrificë dhe angazhim të jep prindi aq rezultate do të reflektojnë fëmijët e tyre. Ti kushtojnë kohe, kujdes dhe udhëzime të mirëfillta fëmijëve që në të ardhmen të krenohen me ta.
Më poshtë gjeni një video ku znj.Alba shpjegon në lidhje me zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.
/Kids of Kosova/