Një alarm për bombë ka detyruar nxënësit dhe stafin e SHFMU “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë të dalin menjëherë jashtë nga objekti i shkollës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka marrë informacionin për dyshimet lidhur me një shpërthim të mundshëm dhe ka dalë menjëherë në vendngjarje.
“Rreth orës 14:30 është pranuar një informatë për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një shkollë në Bresje të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar situatën,” ka deklaruar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sekretari i shkollës, Betim Ahmeti, konfirmoi evakuimin e nxënësve dhe stafit.
“Ka pasur një alarm për bombë në shkollë, dhe menjëherë kemi urdhëruar nxënësit dhe stafin të evakuohen jashtë për sigurinë e tyre,” tha Ahmeti për Tëvë1.