Alarmate: 14 shkolla u mbyllën për dy vjet në Kosovë

- Advertisement5 -

Shkollat e arsimit të obligueshëm me numër të vogël të nxënësve po vazhdojnë të mbyllen në Kosovë.

- paragrafi 1 -

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjatë viteve 2023–2024 janë miratuar pëlqime për mbylljen e 14 shkollave, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2023 dhe pas kërkesave të komunave.

- Advertisement -

‘’Ju njoftojmë se, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2023, deri më tani me inicimin e komunave janë dhënë pëlqime nga MAShTI për mbyllje të 14 shkollave të arsimit të obligueshëm me numër të vogël të nxënësve. Periudha për të cilën MAShT-i ka dhënë pëlqime për mbylljen e shkollave përfshin vitet 2023–2024’’, thuhet në përgjigjen e MAShTI-it për Front Online.

Mbyllja e shkollave/ Ish-zëvendësministri Popovci: Është pasojë e drejtpërdrejtë e zvogëlizimit të popullësisë

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, tha se mbyllja e shkollave lidhet drejtpërdrejt me rënien e lindshmërisë dhe shpërnguljet, kryesisht në zonat rurale.

- Advertisement -

Ai ka përmendur se një anketë e MAShTI-t në vitin 2022 kishte evidentuar mbi 120 shkolla me më pak se 100 nxënës, numër që sipas tij, ka gjasa të jetë rritur.

“Është pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve demografike e zvogëlimit të popullsisë, në radhë të parë si rezultat i rënies së lindshmërisë, por edhe shpërnguljeve dhe është një fenomen i cili ndodh në zona rurale. Që në vitin 2022 Ministria e ka bërë një anketë ku kanë dal mbi 120 shkolla të ndryshme të cilët kanë numër më të vogël se 100 nxënës, por ai numër edhe duhet të jetë rritur”, tha ai për Front Online.

Kur u pyet për rrezikun e braktisjes së shkollës pas mbylljes, Popovci tha se kjo nuk duhet të ndodhë dhe sipas tij vendimet merren vetëm kur ka pak nxënës.

“Braktisja nuk guxon të ndodh, në momentin që merret vendimi për mbylljen e një shkolle, vendime të tilla merren nëse në të vërtetë ka shumë pak nxënës atëherë për ata fëmijë duhet të organizohet transporti, nuk mund të mbyllet asnjë shkollë në vendin ku nuk ka mundësi transporti dhe ky transport duhet të paguhet nga komuna, komunat janë kompetente”, shtoi ai.

Ndërsa, ai shtoi se aty ku transporti nuk mund të sigurohet edhe një nxënës është arsye që shkolla të qëndrojë e hapur.

“Në ato pjesë ku ekziston infrastruktura rrugore, ekziston mundësia e një transporti të sigurt mund të shkohet me mbylljen e shkollave me pak nxënës, aty ku nuk ka mundësi transporti edhe me një nxënës shkolla duhet të qëndrojë e hapur”, tha Popovci.

Rexhaj: Mbyllja e shkollave me pak nxënës rrezikon braktisjen e arsimit në zonat rurale

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj foli për Front Online në lidhje me këtë gjendje dhe tha se mbyllja e shkollave me pak nxënës është pjesë e një trendi dhjetëvjeçar të rënies së numrit të nxënësve në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale.

“Kjo është pjesë e një trendi të përgjithshëm në dhjetë vitet e fundit në Kosovë të rënies së numrit të nxënësve, por në veçanti në zonat rurale, sepse lëvizja e popullatës në Kosovë është drejt vendeve evropiane, por edhe prej zonave rurale drejt zonave urbane, zonat rurale dhe pjesët ku shkollat e vogla janë më të shumta janë dyfish më të goditura”, tha ai.

Rexhaj tha se autoritetet arsimore nuk duhet t’i lënë pas shkollat vetëm pse janë më të vogla, duke nënvizuar se autoritetet lokale dhe ato qendrore, si dhe vetë shkollat janë të obliguara të ofrojnë një minimum të shërbimeve arsimore për të gjithë fëmijët.

“Autoritetet arsimore nuk duhen t’i lënë shkollat pas vetëm se janë më të vogla, ato janë të obligueshme edhe autoritetet vendore lokale, komunat, edhe autoritetet qendrore, por edhe shkollat janë të obliguara që të ofrojnë një minimum të shërbimeve arsimore për të gjithë fëmijët”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se nxënësit duhet të kenë qasje në kabinete, teknologji të reja, mundësi socializimi, argëtimi dhe ai tha se këto standarde duhet të sigurohen për të gjithë fëmijët, pavarësisht madhësisë së shkollës.

“Duhet të kenë qasje në kabinete, duhet të kenë qasje në teknologji të reja, duhet të kenë mundësi socializimi, duhet të kenë mundësi të argëtimit dhe të kalimit të kohës me fëmijë të tjerë dhe duhet të kenë mundësi të garës, kompeticionit, bashkëpunimit në mësim, këto duhet të sigurohen”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se mbyllja e shkollave mund të çojë në braktisje të arsimit, pasi jo të gjithë prindërit kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në zonat urbane, duke bërë që mungesat të zgjasin dhe në disa raste të përfundojnë me braktisje të shkollimit.

“Jo të gjithë prindërit kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët e tyre në qytet, në zonat urbane dhe në ndonjë rast, jo po e dërgoj këtë muaj, jo muajin tjetër, kalon semestri, gjysmëvjetori, kalon viti dhe fëmija braktis shkollimin”, tha ai për Front Online.

Osmani: Prej vitit 2021, diku 200 mijë persona janë larguar nga Kosova, duke shkaktuar mbylljen e shkollave

Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka deklaruar për Front Online se mbyllja e shkollave lidhet kryesisht me numrin e vogël të nxënësve, si pasojë e rënies së natalitetit, por edhe faktorë të tjerë si migrimi dhe kriza ekonomike.

“Faktor kryesor është numri i vogël i nxënësve dhe kjo vjen si pasojë e zvogëlimit të natalitetit, por jo vetëm për këtë shkak, kemi edhe faktorë tjerë siç janë migrimi, kriza ekonomike”, tha ai.

Osmani shtoi se prej vitit 2021 e deri tani rreth 200 mijë banorë, kanë migruar për një të ardhme më të mirë dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë në të njëjtin ritëm.

“Prej vitit 2021 deri tash janë diku 200 mijë banorë që e kanë lëshuar vendin dhe kjo është pjesa më vitale e popullsisë, domethënë të rinj dhe të reja, por edhe fëmijë, familjarë që migrojnë për një të ardhme më të mirë dhe ka tendencë që të vazhdojë në të njëjtin ritëm”, tha Osmani.

Ai tha se pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha, pasi humbet kapitali njerëzor, që është thelbësor për zhvillimin e vendit dhe arritjen e një niveli të lartë të zhvillimit.

“Pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha për shkak se humbet kapitali i rëndësishëm që është kapitali njerëzor, një shtet nuk mundet me pretendu që do të arrijë nivel të lartë të zhvillimit pa pasur burime të mjaftueshme njerëzore që do të kontribuojnë në zhvillimin e atij vendi”, shtoi ai.

Osmani tha se mbyllja e shkollave do të sjellë humbje të vendeve të punës për mësimdhënësit dhe zbrazje të heshtur të vendit, një problem për të cilin deri tani qeveritë nuk kanë pasur strategji efektive për ta zvogëluar apo luftuar.

“Pasoja për shkolla do të ketë humbja e vendeve të punës drejtpërdrejt për mësimdhënësit, zbrazja e heshtur e vendit për të cilën fatkeqësisht deri tani qeveritë nuk kanë pasur ndonjë strategji që ta zvogëlojnë apo ta luftojnë në tërësi”, tha ai.

Ai theksoi se nevojitet një intervenim gjithëpërfshirës dhe multidimensional për të përmirësuar mirëqenien e popullsisë dhe për t’u siguruar që fondet publike të shërbejnë për përmirësimin e sektorit publik.

“Duhet një intervenim gjithëpërfshirës multidimensional të rritet dhe të përmirësohet mirëqenia e popullsisë, të ndalet korrupsioni, hajnia dhe fondet publike të shërbejnë për të përmirësuar gjendjen në sektorin publik”, përfundoi ai.