Media për arsim Albanian Education, në bashkëpunim me HyperActive, ka vijuar me organizimin e aktiviteteve edukative dhe argëtuese për nxënësit, kësaj radhe në shkollat “Faik Konica” në kryeqytet dhe “Shkëndija” në Hajvali.
Aktivitetet janë realizuar me nxënës të klasave të treta dhe katërta, duke ofruar një qasje interaktive dhe të afërt për të diskutuar mbi rëndësinë e lojës dhe aktivitetit fizik në zhvillimin e fëmijëve.
Fëmijët morën pjesë aktivisht në diskutim, duke ndarë mendimet dhe përvojat e tyre rreth aktiviteteve që i ndihmojnë të ndihen më energjikë dhe më të përqendruar.


Në fund të aktivitetit u zhvillua edhe një kuiz i shkurtër me pyetje lidhur me temat e trajtuara gjatë prezantimit. Si formë simbolike vlerësimi për pjesëmarrjen dhe përgjigjet e sakta, disa nxënësve u janë dhënë bileta falas për vizitë në qendrën e argëtimit HyperActive. Biletat iu dorëzuan mësimdhënësve, të cilët më pas do t’ua përcjellin prindërve.
Aktiviteti u zhvillua me karakter edukativ dhe informues, me fokus në rëndësinë e lojës dhe aktivitetit fizik tek fëmijët. Aktivitete të tilla do të zhvillohen edhe në shkolla të disa komunave tjera të vendit.
*Aktiviteti është realizuar me miratim nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, ndërsa fotografitë e nxënësve janë realizuar me pëlqimin e prindërve dhe në koordinim me drejtorinë e shkollës, duke respektuar rregullat për mbrojtjen dhe privatësinë e fëmijëve.