Aktakuza ndaj 15 personave në MAShT, ja për çka dyshohen zyrtarët

- Advertisement5 -

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, prej tyre 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë, për keqpërdorime në procedurat e tenderimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke shkaktuar, sipas Prokurorisë, dëm mbi 1.8 milion euro buxhetit të shtetit.

- paragrafi 1 -

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të pandehurit dyshohen se gjatë viteve 2019–2021 kanë kontraktuar produkte në kuadër të projektit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” me çmime deri në 1557 për qind më të larta se çmimet reale të tregut.

- Advertisement -

Prokuroria pretendon se zyrtarë të MASHTI-t kanë vepruar kundërligjshëm duke favorizuar kompani të caktuara përmes specifikimeve të paqarta teknike dhe kritereve selektive të përzgjedhjes.

Të akuzuarit përfshijnë pronarë dhe përfaqësues të kompanive “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K. dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit.

Prokuroria, nën udhëheqjen e prokurorit special Dren Paca, i ngarkon të pandehurit me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa për disa prej tyre edhe me falsifikim dokumentesh dhe mashtrim të autoritetit kontraktues.

- Advertisement -

Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme penale në projekte të ndryshme prokurimi.