Një aksident i rëndë në aksin rrugor Berat-Dimal raportohet të ketë ndodhur pak orë më parë, ku për pasojë 4 anëtarët e një familje të tërë janë lënduar rëndë dhe po luftojnë për jetën në spital.
Sipas mediave televizive, furgoni i mallrave ka devijuar në përpjekje për të parakaluar dhe për pasojë është aksidentuar me makinën tip Hunday ku ndodheshin katër anëtarët e familjes me mbiemër Bilbili. Në makinë ishin Resmi Bilbili, bashkëshortja e tij Gjenovefa si dhe dy fëmijët e çiftit, Pamela dhe djali Riza.
Shoferi i furgonit 30 vjeç me emrin Valter Belishaku është shoqëruar në komisariat, ndërsa 4 anëtarët e familjes janë dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Beratit ku ndodhen në terapi intensive.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ndërsa dyshohet paraprakisht se shkak i aksidentit kanë qenë shpejtësia e lartë e mjetit Furgon, lagështia në rrugë dhe parakalimi i gabuar. Pritet që policia të publikojë detaje të tjera nga aksidenti i rëndë.