E shtunë, 21 Shtator, 2024

Akademia e Shkencave mbyll vitin “me vetëm” 15 publikime

- Advertisement1-

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës brenda një viti ka publikuar 15 projekte e botime. Në krahasim me të, ajo e Serbisë ka publikuar mbi 50 projekte e botime.

Mungesa e zhvillimit të projekteve shkencore, është e dukshme edhe në institucionet e arsimit të lartë. Buxheti prej 0.7 për qind që ndahet nga Ministria e Arsimit, asnjëherë nuk shpenzohet, në mungesë të interesimit për të bërë kërkime shkencore.
Pesë projekte e 10 botime ka publikuar në vitin 2022 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovë (AShAK), për të cilën çdo vit ndahen mbi 1 milion euro.

- Advertisement -

“Arbnishtja e Zarës”, “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë” e “ Platformë për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik Kosovë-Shqipëri”, janë disa nga publikimet e tyre.

Në vitin paraprak kishte publikuar 1 projekt dhe 19 botime. “Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë për Kosovën”, “Ideologjia e gabimit gjuhësor”, “Platformë për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë” ishin disa nga publikimet.

Ajo e Serbisë, sipas të dhënave nga arkiva digjitale brenda një viti ka publikuar mbi 86 projekte e botime, të cilat ndërlidhen me fushën e shëndetësisë.

Anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave, Bardh Rugova, ka pranuar se ka rënie të publikimeve, mirëpo thekson se Serbia nuk është shembull për t’u ndjekur.

“Kemi një numër të madh të botimeve të cilat janë të akademikëve, ndoshta në mandatin e fundit janë më të rralla, për shkak se edhe akademitë i kanë politikat e vetat, do të thotë vjen një udhëheqje që i sheh pak ma ndryshe. Por nëse flasim për 20 vjetët e fundit, atëherë mund të themi se ka botime të shumta”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, Akademia duhet të fokusohet në promovimin e mendimit kritik dhe në krijimin e sistemit të vlerës.

- Advertisement -rrrrrrr

“E keqja e kësaj situate është se as kjo akademi, e as Universiteti i Prishtinës, dhe sidomos institucionet përgjegjëse që i kanë, nuk po mund të arrijnë që të krijojnë një sistem të këtillë”, ka thënë ai.

Bashkëpunimi i institucioneve me akademinë, është vlerësuar si jetik për zhvillimin e shtetit. Sipas Rugovës mungon një bashkëpunim i tillë.

“Ajo që është e çuditshme është se sado që ka një respekt për punën e akademisë dhe për veprimtarinë e akademisë, sa herë ka grupe punuese për çështje të ndryshme, disi anashkalohet puna e akademisë. Sa që mund të ketë një bord i njerëzve të pavarur, do të duhej të ishin gjithmonë njerëzit e akademisë dhe mendimi i akademisë”, ka thënë ai, i cili shtoi se ka filluar të përkrahen personat me mungesë të njohurive të çështjeve sociale e ekonomike. “Vazhdimisht po shohim njerëz që janë shumë të zhurmshëm për mosdijen e tyre, nuk dinë por janë shumë të zhurmshëm, shprehin mendimin e tyre, thuajse se artë çka ata janë duke e thënë është e vërteta absolute”.

Sipas profesorit të pensionuar në fushën e Telekomunikacionit, Ismet Hamiti, projektet shkencore të Akademisë nuk janë me interes për zhvillimin e vendit. Ai përmend një kapitull të librit “Post War” të autorit Tony Judt, ku flitet për Kosovën, të cilën ka disa të pavërteta, që sipas Hamitit, është rezultat i mungesës së publikimeve për të faktuar historinë e shqiptarëve.

“Në atë kapitull i ka disa gabime që i thotë për Kosovën edhe pse është studiues jashtëzakonisht profesional, për shembull rritja e numrit të shqiptarëve në Kosovë, me ardhjen e pasluftës të shqiptarëve nga Shqipëria, kjo është një e pavërtetë totale, porse defekti dhe faji jonë, është se ne nuk kemi vepra ku ai mund t’iu referohet, e në Serbi ka aq shumë vepra të rreme, shumica që ia kanë imponuar një konkludim të tillë autorit”, ka thënë Hamiti, i cili shtoi se ka mungesë të komunikimit me shtetet e tjera përmes shkencës. “Komunikimi me botën nuk bëhet me vepra folklorike por me vepra të dokumentuara, ku mund t’i referohen me besueshmëri, e kjo punë i ka munguar komunikimit shkencor të Kosovës me botën”.

Akademia e Shkencës më 20 dhjetor feston 47-vjetorin e themelimit. Në vitin 2004 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ASHAK-un, i cili i siguroi pavarësi dhe financa nga buxheti shtetëror. Pastaj, ligji për ASHAK, i miratuar në fund të vitit 2015 nga Kuvendi e përcakton atë si institucionin më të lartë të shkencës dhe të artit në vend, veprimtaria e të cilit, promovimi, kultivimi, nxitja e zhvillimi i mendimit shkencor dhe i krijimtarisë artistike, është me interes të veçantë publik. Sipas këtij ligji, Akademia është institucion i pavarur në fushën e shkencës dhe të artit, të cilit qeveria duhet t’i sigurojë kushte për punë dhe zhvillim. Prej vitit 2007, kur u pavarësua tërësisht me buxhet vetanak e deri më 2022, mbi 14 milionë euro janë marrë nga buxheti shtetëror.

Sipas raportit të organizatës “Integra” me autorë Shkelzen Gashi, është kritikuar puna e ASHAK-ut, duke u vlerësuar e mangët në zhvillimin e shkencës dhe të artit, në përputhje me nevojat e vendit

“ASHAK-u nuk e ka realizuar asnjë projekt shkencor me interes për zhvillimin e vendit. Është e paqartë se çfarë kujdesi ka treguar ASHAK-u për krijimin dhe avancimin e kuadrove shkencore, sidomos të brezit të ri”, thuhet në raportin e publikuar në vitin 2018.

Mungesa e zhvillimit të projekteve shkencore, është e dukshme edhe në institucionet e arsimit të lartë, pranojnë vetë zyrtarët. Buxheti prej 0.7 për qind që ndahet nga Ministria e Arsimit, asnjëherë nuk shpenzohet, në mungesë të interesimit për të bërë kërkime shkencore.

“Edhe në Ministri të Arsimit i gjithë buxheti për shkencën nuk arrin të shpenzohet për aq sa është i alokuar, ne kemi obligim dhe punë se si t’i gjejmë dhe t’i motivojmë ata për hulumtime shkencore, të rinjtë e gjithë shkencëtarët për të punuar në mënyrë të mirëfilltë në shkencë”, pati deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë një raportimi në muajin nëntor para deputetëve të Komisionit parlamentar për Arsim.

Sipas profesorit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Blerim Rexha, arsyeja e mosshpenzimit të buxhetit të ministrisë është ndarja e vogël e shumave për përfituesit.

“Askush nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë buxhet, sepse me projektet e vogla që i mbështet ministria, një projekt që e kam fituar edhe unë, është rreth 6 mijë euro, është e pamundur që të harxhohet buxheti prej 20 milionë euro me shuma prej 6 mijë euro, prandaj ministria e Arsimit duhet të ndajë shuma më të mëdha për individ”, ka thënë ai.

Universiteti i Prishtinës ndan vetëm 1 për qind të buxhetit total vjetor për hulumtime shkencore, që i bie rreth 300 mijë euro në vit. Sipas profesorit Rexha, për të bërë punë shkencore vetëm për një projekt nevojiten shuma më të mëdha se ato që i ndajnë institucionet për stafin akademik.

“Ka disa faktorë, në radhë të parë vjen mos shtytja e institucionit, Universiteti i Prishtinës vite më herët është dashur që kultura kërkimore të mbjellët qysh në fazat e hershme siç janë asistentët e rinj, dhe pastaj të profesorët seniorë, edhe mbështetja që Universiteti është dashur t’ia japë stafit të vet për kërkime shkencore. Kjo mosmbështetje ka ardhur si pasojë e buxhetit të zvogëluar”, ka thënë ai. /KOHA/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Prindërit nuk janë fajtorë nëse fëmija nuk ha, ja çfarë ka zbuluar studimi i fundit

Prindërit nuk janë fajtorë për "fëmijët e bezdishëm me ushqimin" thonë studiuesit, pasi një...

Shkolla “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit e renovuar tërësisht – nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze

Shkolla "Bajram Abdiu", në Bicaj të Kukësit, është renovuar komplet. Pamjet i ka ndarë...

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....