Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka ngritur shqetësimin për mospërputhjen mes notave të nxënësve dhe rezultateve të tyre në vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare, duke theksuar se sistemi i vlerësimit nuk po reflekton nivelin real të njohurive, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas Ahmetit, të dhënat nga studimet e fundit të ETEA-s, ku janë përfshirë mbi 3 mijë nxënës, tregojnë se nota mesatare e nxënësve në Kosovë është 4.16.
Në anën tjetër, ai rikujton se, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, arritshmëria mesatare në Testin e Arritshmërisë është 48.35 për qind, rezultat që, sipas tij, është regjistruar pavarësisht rasteve të raportuara të kopjimit gjatë testimit.
Ahmeti i referohet edhe rezultateve të PISA-s, ku Kosova vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve të OECD-së.
Sipas tij, vetëm 17 për qind e nxënësve arrijnë nivelin minimal ose më të lartë të zotësisë në lexim, 15 për qind në matematikë dhe 21 për qind në shkencë.
“Duke i parë këto të dhëna, leximi i situatës është i thjeshtë: notat në ditar, në vend që ta masin dijen, po e mbulojnë mungesën e saj”, ka deklaruar Ahmeti.