Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas një vlerësimi të suksesshëm nga ekipi i pavarur i Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).
Në një letër zyrtare të datës 8 korrik 2024, Presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick, njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, për miratimin e aplikimit të ripërfshirjes së Kosovës në këtë mekanizëm evropian.
“Aplikimi juaj është aprovuar dhe përfshirja juaj do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2029. Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”, thuhet në letrën e EQAR-it.
EQAR përfaqëson autoritetin më të lartë evropian që regjistron agjenci të sigurimit të cilësisë që veprojnë në përputhje me standardet evropiane për arsimin e lartë (ESG).
Anëtarësimi në këtë regjistër konfirmon përmbushjen e standardeve më të larta evropiane nga ana e AKA-së dhe rrit ndjeshëm kredibilitetin dhe besueshmërinë e arsimit të lartë në Kosovë.
Ky zhvillim do të ndikojë drejtpërdrejt në njohjen ndërkombëtare të diplomave të studentëve kosovarë, të cilat tashmë do të konsiderohen si të barasvlershme me diplomat e vendeve të BE-së. Kjo ka rëndësi jetike si në aspektin akademik, ashtu edhe profesional, duke u garantuar studentëve dhe punëdhënësve cilësi dhe standard ndërkombëtar.
Përveç përfitimeve për studentët, anëtarësimi në EQAR u hap dyer të reja edhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për pjesëmarrje të plotë në programet evropiane për edukim, përfshirë mundësitë për partneritete, projekte të përbashkëta, financim dhe ndërkombëtarizim.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, theksoi rëndësinë e këtij momenti duke e quajtur “një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë”.
Ajo vuri në pah faktin se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin këtë status prestigjioz.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, deklaroi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë dhe të planifikuar.
“Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas pranimit si affiliate në ENQA në shtator 2022 dhe aplikimit në EQAR në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024 një ekip prej pesë ekspertësh ndërkombëtarë vizitoi Kosovën dhe dha vlerësim pozitiv”, sqaroi Gashi.
Të dy zyrtarët falënderuan Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, si dhe institucionet shtetërore, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, me theks të veçantë për mbështetjen nga agjencitë homologe të Kroacisë, Austrisë dhe Gjermanisë.
Ky pranim e vendos Kosovën në një pozitë të barabartë me vendet evropiane në fushën e sigurimit të cilësisë në arsim, dhe e përforcon rolin e AKA-së si një institucion kredibil dhe i besueshëm, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.