E hënë, 25 Nëntor, 2024

Adriatike Lami: Mësuesi s’është prindi i nxënësit, as dado, as profet, por modeli i së ardhmes!

- Advertisement1-

Është një moment që ndërsa gjimnazi ka filluar orën e parë të mësimit, vijnë në kampus të vegjlit. Të shohësh ata që në mëngjes si vijnë, si mbajnë çantat, si hapin derën dhe ia mbajnë shokut tjetër… Është një oaz që se kam gjetur tjetërkund.

Adriatike Lami, drejtore e shkollës “Wilson”, specialiste e arsimit parauniversitar, me një eksperiencë shumëvjeçare në arsim na rrëfen në një intervistë për Portalin Shkollor gjithçka për punën, metodat e mësimdhënies, vështirësitë në arsim, sfidat e drejtuesit të suksesshëm, të vërtetat dhe mitet e krijuara… Gjithçka në një rrëfim i cili bazohet në eksperiencë, punë, përkushtim, aktualitet.

- Advertisement -

Çdo të thotë për ju të punoni sot në arsim, kur referimi për profesionet ka ndryshuar ndjeshëm. Keni zgjedhur vetë të drejtoni apo historia ka rrjedhur ndryshe?

Nuk jam e rastësishme këtu dhe nuk kam zgjedhur po kaq rastësisht. Mësuesia ka qenë një ndër ëndrrat e fëmijërisë së brezit tim, atëherë kur mësuesi shihej me nderim të veçantë dhe të merituar. Im atë gjithashtu më ka shtyrë që herët drejt librit dhe mësimdhënies. E donte ai këtë traditë të familjes. Dhe unë u bëra vazhdimësia e tij.

Mendoj që jam një zotëruese fantastike e auditorit (klasës). Kam dhënë mësim në mosha të ndryshme që nga klasa e pestë deri në universitet. Kurrë nuk kam menduar se ka auditor që nuk e meriton vëmendjen time. Kudo që futem harroj çdo gjë, lë jashtë derës së klasës pjesën tjetër të Adës dhe më përfshin tema, të folurit, ua thur bukur tregimin, ua lidh atë me jetën e kohës dhe me jetën personale, që të mos lë askënd jashtë, t’i përfshij të gjithë.

Këtë synim kam pasur që në fillim, kur shihja varfëri në rrobat dhe mungesë dëshire në mendjen e nxënësve të mi. Më pas shumë shpejt fillova të bëja paralel mësimdhënien dhe drejtimin, pak më vonë specialisten e arsimit në rolin e inspektores, trajnueses, specialistes a hartueses së testeve kombëtare e ndërkombëtare dhe sot edhe të bashkëautores së librave shkollorë.

Kurrë se kam lënë mësimdhënien. Në çdo pozicion kam mbajtur klasa që më ndihmonin të zbatoja kurrikulat e reja. Ndërroja shpesh auditore, kisha përballë gjithnjë e më shumë nxënës të ndryshëm. Nga eksperiencat më pozitive është mësimdhënia në klasat që përmbyllin cikle, pasi puna aty është konkluduese, sheh rezultatin siç ndodh me klasën e nëntë, maturën etj. Po kështu për 6 vite kam dhënë mësim te studentët e mësuesisë. Shihja mësues; burra dhe gra që vinin nga veriu e jugu fundjavave për të merituar vendin e punës, për t’i shtuar vetes shprehi të kohës, njohuri dhe metodologji moderne.

Unë e adhuroj mësimdhënien dhe kjo ndoshta ka ndikuar për të zbuluar te vetja aftësi mjaft të mira të liderit të sotëm, shumë larg besoj atij liderit të deridjeshëm.

- Advertisement -rrrrrrr

Fillimisht në drejtim më zgjodhën me votë gjatë një interviste në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, madje menjëherë gjatë një konkurimi të denjë. Ata thanë që më pikasën. Dhe unë kështu mendoj që më pikasën. Më pas e deri më sot shpresoj ta kem merituar. Kam qenë me fat, pasi kam patur modele të mira kolegësh asaj kohe, me fat sepse kam ndjekur të gjitha hapat e karrierës, kur ishte ezauruar njëra, ndodhte tjetra. Mendoj që edhe kjo është një nga çelësat e suksesit.

Ne të gjithë e dimë që ka patur probleme të mëdha arsimi gjatë gjithë këtyre viteve. Vazhdon të ketë ende. Për shumë arsye. Por përmes tyre kam ndërtuar karrierën dhe punën time. Nuk jam ndalur. Dhe ja ku jam.

Ju jeni drejtuese e një shkolle të njohur, çdo të thotë kjo për ju? Sipas jush si janë drejtuesit e sotëm të arsimit?

Unë sot jam drejtore në shkollën Wilson. Ndonjëherë them edhe kampusit Wilson, sepse specifikisht kemi fëmijë dhe nxënës që nga 2 muajsh e deri 18 vjeç, kemi të gjithë nivelet e arsimit e shërbimit, edhe sistem konvikti, etj. I përmenda këto për të thënë që të drejtosh sot një shkollë të njohur është jo thjeshtë sfidë, por përgjegjësi e dyfishtë. Të duhet të jesh vazhdimisht në perfomancë të shkëlqyer për të ruajtur traditën dhe për të krijuar risi. Arsimi dhe edukimi kanë nevojë të gjithkohshme për ndryshim dhe për qasje të reja. T’i mbash sytë hapur, mendjen ndezur dhe zemrën të madhe. Një shkollë e kësaj natyre të kërkon gjithmonë në gatishmëri. Nuk duhet të biesh në rutinë, atë që e quajmë përgjumje. Të duhet në të njëjtën kohë të marrësh vendime, ndoshta më shumë se çdo drejtues tjetër në një shkollë publike a jo publike. Por ka një lehtësi. Vendimmarrjet nuk munden nga rutina burokratike shtetërore dhe as nga presioni karakteristik në shtet, nga politika a diçka tjetër. Ndërkohë në një shkollë të tillë nuk ndihesh kurrë vetëm në punën tënde, as pamjaftueshëm. Punohet shumë bashkë dhe në grup. Një shkollë private si Wilson ka avantazhe të jashtëzakonshme. Madje këtu vështirësitë që hasin natyrshëm shkolla të tjera të kthehen në avantazhe. Wilson është institucion, ka infrastrukturë dhe natyrë të paparë të pagjendur diku tjetër, ka përvojë të mjaftueshme, mësues të vjetër dhe të rinj. Ka dhënë prova dhe ka ish nxënës që tashmë sjellin fëmijët e tyre tek ne në sistemin parashkollor. Koha ka rrjedhur, aty mëson se të jesh i vogël dështon, të jesh jo kreativ të mundin, të jesh arkaik largohesh. Qasja me nxënësin dhe prindërit po shihet në një këndvështrim tjetër. Mësuesi ka liri, synohen projekte dhe prakticiteti është fryma jonë. Kujdesemi dhe komunikojmë shumë për të arritur më tepër. Ky është çelësi tjetër. Integrojmë forma dhe tregues të ndryshëm. Nga ana tjetër me thjeshtësi dhe krenari e them: ka krenari drejtimi i një shkolle të tillë. Shkolla ka një emër tashmë. Të përshtatësh atë për të cilën është krijuar, raportet analoge dhe raportet e përditësimit është e vështirë, por jashtëzakonisht e bukur. E dua punën time, shkollën tonë. Mendoj gjithashtu që në sfidat e arsimit të sotëm një shkollë si Wilson, duhet të konkurojë fuqishëm jo vetëm me raportet që vendosen me rezultatet, pasimin e nxënësve në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha me një shkollë pa stres por tepër integruese. Moto jonë është një fëmijë i lumtur. Dhe një dije që e zbukuron dhe e aftëson atë.

Ja çdo të thotë të drejtosh një shkollë të tillë.

Sot ka një opinion jo të fort të mirë për shkollat private. Unë mendoj dhe besoj se një shkollë private ose është e mirë ose nuk është. Dhe ato që janë të mira si e jona kanë drejtues e stafe po kaq të mira. Ky është perceptimi im.

Meqenëse jemi te drejtimi, nuk jam dakord fare me mënyrën se si drejtojnë pjesa më e madhe e drejtuesve sot, të cilët synimin e kanë si të kapin mësuesin dhe nxënësin mat. Ky është drejtuesi i vogël dhe ju garantoj pa asnjë rezultat, që mbush letra të jetë në rregull me shtetin.

Që e sheh ligjin bardh e zi…

Mendoj gjithashtu që drejtuesi duhet të kalojë disa etapa karriere dhe përvoje dhe jo t’i fitojë ato duke drejtuar të tjerët shumë më të mirë se ai. Kjo është absurde. As të vijë nga fusha që nuk kanë lidhje me arsimin. Jo të vijë nga politika, jo të vijë nga biznesi. Ai duhet të jetë një mësues i mirë, një njeri që lexon dhe di të flasë, një njeri që planifikon dhe ndjek detyrat e veta e të të tjerëve, që ndan detyrat e punon vetë me to. Jam kundër atyre që thonë se drejtuesi i mirë është ai që di të lërë detyrat. Drejtor i mirë është ai që ndan dhe është edhe vetë në krye të grupeve të punës.

Ndoshta drejtori njerëzor nuk duket më në sfond, unë mendoj se sa më profesionist është një drejtor aq më njerëzor është e sukses do të ketë. Kjo nuk e bën atë të pazotin dhe dështues, përkundrazi një njeri që di t’i “marrë kalatë nga brenda”. Ai duhet të krijojë klimë dhe atmosferë pozitive, të mos ngjallë frikë, të mos ushqejë thashethemnaja populiste. Të jetë i drejtpërdrejtë, të diskutojë, të lejojë debatin. Të jetë edhe i prerë, edhe i qetë, edhe plot jetë. Vendimmarrës i kujdesshëm, por jo pritës pa fund. Të ketë gjithmonë një zgjidhje për çdo situatë. Të marrë përgjegjësi dhe mbi të gjitha të shohë në sy nxënësit, mësuesit, prindërit. Drejtuesin e sotëm duhet ta zgjojë nga gjumi ideja se si të bëjë punë të mira dhe jo si të dënojë të tjerët.

Unë kam patur fat, pasi kam njohur dhe punuar me drejtues që e meritonin këtë emër… Ja që ka kjo Shqipëria jonë e vogël edhe njerëz të shkëlqyer në arsim. Le të japim dhe shembuj të mirë se na mbytën të këqijtë. Mbaj mend një koleg që më dha emërimin e parë. Më vonë kemi punuar të dy bashkë në shkollën Çajupi. Ai nuk e mbante mend këtë të mirë, se ashtu punonte ngaherë, por unë po.

Më vonë para një komisioni profesionistësh të vërtetë se ka pasur dhe ka arsimi të tillë padyshim, u zgjodha për drejtimin e një shkolle të mesme… edhe ata se mbajnë mend por unë po. Po kështu edhe dy drejtuesit e mëvonshëm më kanë lënë një shije të jashtëzakonshme. Ndoshta duke patur shtysa të tilla dhe kolegë profesionistë mësova ta dua më shumë arsimin dhe ta mësoj më mirë artin e drejtimit. Ndërsa mësimdhënia është shpirti im, zëri im i brendshëm, aq sa ndonjëherë mendoj se ai ka lindur me mua.

Si janë marrëdhëniet tuaja me mësuesit, nxënësit dhe prindërit?

Besoj se gjithçka e thënë më lart, shpjegon edhe këto lloj marrëdhëniesh. Nxënësi ka gjithmonë të drejtë. Prindërit dhe shkolla duhet të bashkëpunojnë shumë. Mësuesi duhet të jetë me të vërtetë mësues. Të tria palët meritojnë respektin reciprok.

Kombet që kanë pasur apo kanë sukses në arsim, kanë pikërisht se ky trinom është gjithmonë bashkë.

Nuk ka problem që unë ta zgjidh pa çuar më parë nëpër mend se si do ta mendonin këtë gjë; një nxënës, prind apo koleg.

Empatia nuk është dobësi, por i jep përmasë pozitivitetit dhe suksesit.

Çdo ditë rrugës për në punë vë një muzikë të lehtë dhe mendoj situatën më të vështirë të një dite më parë, komunikimin e ditës dhe një aktivitet që duhet t’i paraprijë asaj. Në çdo rast mendoj pozitivisht.

Më intereson jashtëzakonisht një fëmijë i lumtur, një koleg komfort dhe një prind i kënaqur.

Mendoj gjithashtu që me eksperiencën me vitet, drejtuesi ndryshon mjaft gjëra në punën e tij, përmirëson edhe marrëdhëniet e mësipërme. Kështu sot e gjithherë preferoj bisedat e drejtpërdrejta me të gjitha palët. Me nxënësit flas drejt dhe me të vërtetën në sy. Është shumë e rëndësishme që secili prej palëve të besojë fjalën tënde. Mësuesit janë kolegët e mi.

Sfidë të arsimit sot konsideroj komunikimin dhe bashkëpunimin me prindërit. Është një raport që ka ndryshuar me kohën. Mendoj se këtu fshihet çelësi i suksesit të fëmijës.

Disa modeleve në drejtim a në këto lloj marrëdhëniesh u ka shkuar koha.

Prioriteti është dhe duhet të jetë fëmija, nxënësi.

Respekti duhet fituar. Nga ana tjetër them që një nxënës nuk duhet ta dojë mësuesin si prind, jo. Ai duhet ta dojë atë si mësues. Secili ka rolet e veta.

E kam thënë dhe diku. Kam njohur mësues, nxënës dhe drejtues të jashtëzakonshëm. Dhe këta të gjithë i mbaj mend mirë, një për një. Ata që kanë qenë të kundërtit e tyre, jo nuk i mbaj mend me emra, por thjesht si fakte. Gjithmonë dhe mendoj se kjo ka rëndësi, nuk kapem me gjëra të vogla dhe shoh përpara. Nuk mbaj mëri, as inate jo, me askënd. Kjo më bën që të përmirësoj gjërat që nuk shkojnë dhe të prirem vetëm nga modelet e mira.

Cila është vështirësia më e madhe gjatë ushtrimit të këtij profesioni?

Asnjëherë nuk i dihet se cili është momenti më i vështirë, madje as nuk e mban mend, sepse me vitet ndryshon këndi i vështrimit. Ka patur disa herë kur kam ndjerë vështirësinë, por jo pamundësinë. Vështirësia më e madhe është kur sheh armiq në punën tënde dhe kur bie në rutinë.

Cili është satisfaksioni më i madh që keni marrë nga kjo punë?

Kreativiteti. Mësimdhënia dhe shkolla të mban mendjen gjallë. Të bën kreativ. Aq sa unë të njëjtën temë mësimore, në orë të ndryshme e realizoj ndryshe. Po kështu si drejtuese nuk mbaj në kokë modele zgjidhjesh se për secilin rast do kem patjetër një të re. Unë jam edhe shkrimtare. Bota e gjallë e personazheve të mi merr jetë edhe nga kjo përditshmëri.

Nuk mund të lë pa përmendur një element të rëndësishëm të ditës sime. Më besoni. Është një moment që ndërsa gjimnazi ka filluar orën e parë të mësimit, vijnë në kampus të vegjlit. Të shohësh ata që në mëngjes si vijnë, si mbajnë çantat, si hapin derën dhe ia mbajnë shokut tjetër, si të pyesin, si kërkojnë dashuri prej teje, si thonë fjalë a shprehje të mëdha, si të përqafojnë, është një satisfaksion që se ka çdokush. Është një oaz që se kam gjetur tjetërkund.

Si nënë, mësuese dhe drejtuese si e shikoni përkushtimin e nxënësve ndër vite, si po ndryshojnë brezat?

Fëmijët sot lexojnë pak, dëgjojnë pak. Nuk përqendrohen, por kanë veti të jashtëzakonshme të bëjnë mirë atë që duan, duan gjëra të thjeshta, praktike, gjëra që i nderojnë, gjëra që të mos kenë turp t’i bëjnë. Ka dy këndvështrime sot, madje tre; njëra linja e ashpër që ndeshet më pak. E dyta ajo liberale që ndeshet shpesh dhe tjetra linja alternuese. Drejt kësaj duhet të synojmë ndonëse e treta është më e vështira. Sepse është më e lehtë të jesh i ashpër ose tolerant dhe kërkon shumë punë të jesh intregrues.

Nxënësit sot janë më çapkënë, të përdorin situatat, të kthejnë përmbys gjithçka. Kolegët i këshilloj të jenë më sportivë. Mbaj mend një mësues që sapo filloi punë, nxënësit i vunë një shënim me laps në xhaketë. Ai u irritua dhe u ankua. I thashë: Po ti hiqe atë xhaketë dhe vërua në tavolinë ta pikturojnë. Aty i fiton.

Por nxënësi beson te profesionisti i mirë. E dallon atë menjëherë që larg. Dhe ndalet para tij. Për këtë ju siguroj.

E keni parasysh një fëmijë që thotë: Kam të drejtat e mia? Kjo është fantastike…. e keni parasysh një fëmijë që thotë nuk e bëj këtë sot? Do ta bëjë nesër.

Duhet kuptuar sigurisht që të mos më keqkuptojnë pjesa tjetër që ka gjithmonë një kufi që nxënësi nuk duhet ta kapërcejë. Një mësues a drejtues i mirë e dallon këtë dhe kujdeset ta ndalë në kohë.

Nxënësi sot po ndeshet me mungesën e dëshirës për të studiuar, po ndeshet çdo ditë e më shumë me bullizmin, me ndryshimet sociale apo me presionin e rrjeteve sociale.

Por nga ana tjetër kemi fëmijë të jashtëzakonshëm si Pipi, fëmijë shkencëtarë, fëmijë që dinë të fitojnë, fëmijë të bukur në shpirt.

Kemi edhe ata fëmijët me nevoja të veçanta, që janë aq mirënjohës dhe thonë shpesh faleminderit. Oh, sa punë ka shkolla që këta fëmijë të pranohen.

Ka prindër që përballë një fakti direkt më pyesin: Ke fëmijë? Po u them,- kam fëmijë, djem dhe unë si ju dhe mezi ndonjëherë i zgjoj në mëngjes, por i zgjoj ama, sepse është koha për shkollën. Me këtë dua të them së të qenit prind, nënë në këtë rast, e ndihmon kuptueshmërinë dhe zgjidhjen e problemeve. Po po padyshim, është më mirë.

Duhen bërë të tria mirë dhe sigurisht që kanë lidhje.

Nuk mundesh të jesh një nënë e keqe dhe një drejtuese e mirë. Një mësuese e dobët dhe drejtuese e mirë… jo, duhet t’i harmonizosh të tria. Unë nuk besoj te rastësia. Unë besoj te koherenca, te puna e palodhur, te kreativiteti, te shpirti i pasuruar me jetë, ngjarje, veprime mendime. Besoj te gjërat në rritje, te investimi shpirtëror dhe mendor, te koha që kalon me secilën pjesë të angazhimit tënd. Jo thjeshtë të jesh aty, por të dish të jesh aty.

Ka një debat apo më mirë të themi diskutim në botë për detyrat e shtëpisë; disa janë pro dhe mendojnë që nxënësit duhet të kenë detyra shtëpie, të tjerët e kundërshtojnë këtë. Ju si mendoni? Nxënësit tanë duhet të kenë detyra shtëpie? Nëse po, sa?

Unë kam qenë prej disa vitesh specialiste e arsimit, gjë që më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër efektet e këtij treguesi. Edhe bota për këtë problem është e ndarë në dysh a në tresh. Edhe Shqipëria. Ngarkesa duhet t’i përshtatet nxënësit. Ajo është gjithashtu në përputhje me lëndën apo edhe me kurrikulën. Nëse nuk mbahen parasysh këto atëherë e dëmtojnë jashtëzakonisht nxënësin. Por më lejoni t’ju them: Nëse një nxënës është në një shkollë private e bën 5 orë mësim, një orë sport, drekon e më pas bën studimin, mos vallë duhet të studiojë pafund në shtëpi? Jo. Për këta nxënës duhet ndjekur politikë tjetër. Mund të jepet një detyrë përfaqësuese në shtëpi, që të mund të shohë edhe prindi zhvillimin ditor ose javor të tij. Kurrë nuk kam kuptuar se si mësuesit japin një faqe me ushtrime, kopjime tekstesh pafund, detyra nga interneti, detyra që kërkojnë ndihmë shkencëtarësh se prindi nuk ia jep dot, JO, kjo është çmenduri. Por unë jam dakord për detyrat e diferencuara dhe të vlerësueshme.

Mësuesi duhet të japë detyrën në përputhje me nivelin e nxënësit, madje të nxënësit në rritje. Mësuesi duhet ta kontrollojë patjetër detyrën e dhënë. Jo secilën prej tyre. Ka forma pafund. Jam edhe kundër detyrave dënuese. Unë jam për detyrat kreative, që shtyjnë zbulimin dhe zgjojnë dëshirën për hulumtim. Unë adhuroj punët me projekte ose punët në grup. Janë fantastike. Ata zgjojnë edhe të mirin dhe ndihmojnë të dobëtin. Punojnë të gjithë bashkë aty. Gjejnë mënyra komunikimi. Ndihmojnë njëri-tjetrin. I afti dallon. I dobëti shtyhet të bëjë diçka. Ka rritje nxënësi përmes saj. Ndihet më i lumtur. Secili bën atë që mundet. Edhe nëse dikush nuk bën asgjë, ai është aty, sheh dhe dëgjon. Padashur mëson. Kështu fillon. Pastaj e mira nuk ka fund. Nuk mund të jem dakord me një mësues që jep një detyrë për të gjithë njësoj, as për prindin që kërkon një detyrë 3 plus, kur fëmija mezi bën atë 1 plus, as me nxënësin që se bën detyrën e dhënë. Duhet vëmendje e përditshme për këtë gjë. Mësuesi shpjegon, shënon, kontrollon, por edhe prindi ka përgjegjësi, ndryshe s’ka sukses.

Tashmë mësuesit kanë shumë metoda mësimdhënie të cilat mund t’i praktikojnë, ju si mendoni, cila është metoda më efikase e mësimdhënies?

Nuk ka formula. Unë kam përdorur metodat e mendimit kritik atëherë kur ende nuk kisha dëgjuar për to… Metoda më e mirë është ajo që jep rezultat. Por metoda që nuk të shpien asgjëkundi nuk duhet të ekzistojnë më. Sot nuk mund të kuptohet mësimdhënia pa atë me në qendër nxënësin apo pa elementët në rritje të mendimit kritik.

Duke qenë më afër mësuesve, cila është nevoja që ata kanë tani? Trajnime për çfarë?

Mësuesi sot ka nevojë së pari të merret me veten. Si mund ta trajnosh një mësues që nuk lexon asgjë, që e ka diplomën me pesë, që vjen me zor në punë, që nuk lexon as planin mësimor që kopjon diku, që kërkon çdo gjë gati…Unë jam shumë për të ndihmuar mësuesin, sepse ai nuk ka pse të lodhet për gjëra që realisht duhet t’i ketë gati. Por mendjen dhe shpirtin s’ta ndryshon kush, nëse nuk janë dhe nuk do. Kam njohur mësues pak të trajnuar, por të mirë në klasë, shumë të trajnuar por regresivë në klasë, kam njohur edhe mësues fantastikë. Kam njohur dhe veten. E adhuroj klasën dhe auditorin. Kurrë nuk pyes për librin. Unë besoj që libri nuk është për mësuesin, është për nxënësin. Mësuesi duhet të fluturojë gjithmonë më larg. Boll me historinë që mësuesi ka halle ndaj nuk jep. Të gjithë kanë problemet e tyre. Edhe unë të miat, por në klasë a shkollë isha dhe jam një njeri më i mirë se në jetën time të përditshme.

Por jam sigurisht me idenë që mësuesit duhet të trajnohet për gjërat e reja. Të mos bëjë trajnime kot. Mendoj që duhet të njihen nevojat e tij.

Sot sipas meje ai duhet të trajnohet për kurrikulat e reja, për përvojat pozitive në botë, komunikimin, botën e komunikimit. Dhe duhet të punojë vetë për të rejat e lëndës së vet apo për metodologjitë.

Cila është pika më e dobët e arsimit sot në Shqipëri?

Jemi një popull që e duam arsimin pafund, paguajmë që atë ta kemi në formën më të mirë. Askush nuk paguan aq shumë për aq pak sa ne. Kjo është një pikë e fortë.

Por ka një pikë të dobët arsimi në Shqipëri: nuk njihet sa duhet prioriteti. Duhet të kuptohet prioriteti. Çdo kohë ka prioritetet e veta.

Në këtë moment prioritet është nxënësi. Po ikën në drejtim të paditur edukimi i tij, duhet menaxhuar mendja, sjellja dhe brumi i tij. Duhet njohur fëmija brenda nxënësit dhe duhet drejtuar në udhë të denja plot dashuri.

A respektohet sot ashtu si e meriton figura e mësuesit?

Sot ka probleme të rënda në lidhje me këtë temë. E keni vënë re ditën e 7 Marsit? E gjithë vëmendja vetëm se çfarë dhurate i dhanë mësuesit. Sa turp. Sa keq. Kjo m’u kujtua tani. Sigurisht që arsimi sot dhe figura e mësuesit kanë probleme të mëdha. Po le të mësojmë të respektojmë njëherë ata që vlejnë me të vërtetë, e që bëhen ca. T’u japim vlerën e duhur. Pastaj të merremi me të paaftët. Vetëm kështu unë them se do fillojë të vlerësohet mësuesi.

Diku e kam thënë; kam njohur mësues dhe drejtues fantastikë. Ata janë midis nesh.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë kolegët? Çfarë këshille keni për ata që bëhen ose synojnë të bëhen mësues sot?

Këshilloj shumë maturantë të zgjedhin të bëhen mësues nëse nuk kanë prirje të tjera të veçanta dhe që sipas tyre e kohës u sjell më shumë të ardhura. Ndonjëri qeshet.

Nuk duan të bëhen mësues. Dhe kështu ka shumë të tjerë që vijnë aty rastësisht ose me zor.

Kolegëve të mi u këshilloj dhe u uroj qetësi…. humanizëm dhe profesionalizëm, vëmendje dhe që çdo ditë ta shohin si një ditë të re, jo përsëritje të tjetrës.

Atyre që hyjnë rastësisht dhe pa dëshirë u rekomandoj të largohen me vrap, ndonjëri që nuk ikën dhe zgjedh e rri i them: S’ka gjë që nuk bëhet mirë nëse ke dëshirë.

Atyre më të rinjve u këshilloj që të mos pretendojnë që ditën e parë të dinë gjithçka. Të mësojnë çdo ditë. Të mësuarit me punën dhe jetën duhet të kthehet në një fakt dhe moto të përditshme, që nuk resht kurrë. Asnjëherë nuk mund të dish gjithçka dhe të ndalesh.

Mësuesit “vdesin” shpejt, por “vdesin të rinj”. Rinia është përherë me ta. Me NE.

Ne nuk jemi prindërit e nxënësve tanë, as dadot e tyre, as profetët e tyre.

Ne jemi mësuesit e tyre. Ata, nxënësit tanë duhet të na shohin si modele, si modele të realizueshme të së nesërmes. Mësuesi duhet të jetë modeli i tyre pozitiv. I dyti pas familjes.

(Portali Shkollor)

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

10 mënyra për t’i kryer detyrat tuaja të shtëpisë më shpejt

Detyrat e shtëpisë mund të jenë të bezdisshme dhe të marrin shumë kohë, ndërsa...

Nxënësja Elmedina Dajaku i kushton këngë heroit Halil Geci në përvjetorin e rënies së tij

Në një akt të ndjerë përkujtimi, nxënësja Elmedina Dajaku ka interpretuar një këngë të...

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Luisi djali 14-vjeçar i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e rëndë të ndodhur...

Kolektivi i shkollës “Jorgji Dilo” nga Elbasani viziton shkollën “Asdreni” në Pejë

Shkolla "Asdreni" në Pejë ka njoftuar se kanë pasur për vizitën kolektivin e shkollës...