Aktorja e njohur, Adriana Matoshi, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur gjithmonë mbështetjen e saj për grupet e margjinalizuara në vend.
Viteve të fundit ajo është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të grave, me çka thotë se edhe është kërcënuar, pasi i është futur kësaj rruge.
Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, Adriana shkruan se kërcënime të tilla nuk do ta ndalin në këtë angazhim.
“Ditëve të fundit jam bërë cak i kërcënimeve të ndryshme për shkak të angazhimit tim në mbrojtje të drejtave të grave, sidomos ndihmës që po ju jap grave të cilat me vite kanë pësuar dhunë psiqike e fizike nga burrat e tyre”, ka shkruar fillimisht deputetja e VV-së.
Tutje, aktorja e filmit “Zgjoi” ka cekur se nuk i frikësohet aspak kërcënimeve të tilla dhe do të vazhdojë të punojë fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të gruas.
“Gabon rëndë ai që mendon që më frikëson, sepse hyrja ime në politikë dhe paralment ka një mision, i cili nuk do të pushojë para se çdo nënë, motër e grua ta fitojë lirinë dhe të drejtën e vet elementare njerëzore për të jetuar e lirë dhe e pacënuar nga askush”, ka përfunduar Matoshi.
Adriana mori statusin e deputetes së Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.