Adile Jashari u vlerësua me çmimin “Ricerca Stilistica”, ndërsa pesë studente të UBT-së prezantuan krijimet e tyre në “Sotto il Cielo di Genzano 2026” në Romë.
Pesë studente të Departamentit të Dizajnit të Modës kanë përfaqësuar me sukses Kosovën në ngjarjen prestigjioze ndërkombëtare të modës “Sotto il Cielo di Genzano 2026”, e mbajtur në Romë të Italisë, transmeton albinfo.ch.
Përmes koleksioneve dhe koncepteve të tyre kreative, studentet prezantuan talentin dhe vizionin e dizajnit kosovar para një audience ndërkombëtare, duke dëshmuar potencialin e brezit të ri të dizajnereve nga Kosova.
Suksesi më i madh u arrit nga studentja Adile Jashari, e cila fitoi vendin e parë në kategorinë “Ricerca Stilistica” (Kërkim Stilistik), një çmim që vlerëson origjinalitetin, hulumtimin krijues dhe qasjen inovative në dizajn.
Ky vlerësim e renditi Adilen ndër emrat më të spikatur të garës, ku morën pjesë konkurrentë nga vende të ndryshme të botës, duke konfirmuar nivelin profesional dhe kreativ të studentëve të UBT-së në skenën ndërkombëtare.
Përveç saj, edhe katër studente të tjera të Departamentit të Dizajnit të Modës prezantuan punimet e tyre para profesionistëve dhe dashamirëve të modës, duke promovuar kulturën, identitetin dhe krijimtarinë artistike të Kosovës.
Sipas UBT-së, pjesëmarrja dhe suksesi në “Sotto il Cielo di Genzano 2026” pasqyrojnë angazhimin e institucionit për zhvillimin e talenteve të reja dhe krijimin e mundësive që studentët të prezantojnë punën e tyre në ngjarje prestigjioze ndërkombëtare./Albinfo.ch