Në fondin e begatë të abetareve që janë botuar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte edhe “Abeceja shqype” e cila ishte përdorur si tekst shkollor në qendrën arsimore të themeluar nga Klubi Shqiptar i Kumanovës.
“Abeceja shqype” nuk ka të dhëna për autorin, vitin e botimit, e as vendin e botimit. Botimet anonime të këtij lloji ishin dukuri e zakonshme gjatë kësaj periudhe. Sa i përket botuesit, në bazë të disa të dhënave, mendohet se abetarja ka qenë fletushkë e bashkangjitur gazetës “SHKUPI”. Në mbështetje të këtij mendimi është përdorimi i teknikës së njëjtë në shtypjen e abetares, si dhe të gazetës (karakteri i shkronjave, alfabetit i përdorur, si dhe letra në të cilën janë shtypur). Por, pa marrë parasysh këtë, vendi i përdorimit të saj në mënyrë të organizuar ishte Kumanova, më saktë qendra arsimore e Klubit Shqiptar të Kumanovës.
Abetarja kishte format të një fletushke me dimensione 38×40 cm, e shkruar në njërën faqe, e ndarë në tre pjesë dhe e radhitur në katër kolona. “Abeceja shqype” do ketë arritur në Kumanovë nga fundi i vitit 1911, që do të thotë se në të njëjtën kohë kur botohej edhe gazeta “SHKUPI” (numri i parë i kësaj gazete u botua më 29 gusht 1911 në Shkup).
E botuar si shtesë në gazetën “SHKUPI” dhe e shpërndarë bashkërisht me gazetën, kjo abetare është përdorur edhe në vende të tjera si tekst mësimor ose si tekst “vаde mecum” (broshurë). Burime të ndryshme vërtetojnë se kjo abetare është gjetur në Kaçanik, Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Podujevë etj.
Në një letërkëmbim mes Jashar Erebarës dhe Iljaz Agushit, të datës 10 tetor 1911, Erebara shkruan: “Duke pasur parasysh nevojën për një abece shqype, po ju dërgoj disa copë me shpresë që do t’i dërgoni aty ku do ketë nevojë…”
“Abeceja shqype” e Kumanovës, ka një kompozicion të njëjtë me abetaret e para të kësaj periudhe. Abetarja ka gjithsej tre njësi tematike. Në fillim paraqiten shkronjat e shtypit dhe ato të shkrimit, më pas vijnë ushtrimet, përmes të cilave lidhen shkronjat me fjalët dhe fjalitë. Në njësinë e dytë tematike janë 12 njësi, kurse në njësinë e tretë janë gjithsej 18 njësi mësimore. Abetaret, në përgjithësi, ashtu si edhe “Abeceja shqype”, janë të botuara pa emër të autorit. Ky ishte fenomen i përhapur në atë kohë edhe me librat e tjerë me karakter arsimor. Nëse krahasohen “Abeceja shqype” me “Abetaren e gjuhës shqipe” të Sami Frashërit, Jani Vretos, Pashko Vasës dhe Koto Hoxhit, e botuar në Stamboll në vitin 1879, do të vijmë në përfundim se abetarja e Kumanovës është një lloj sinteze, sepse këto të dyja janë shumë të ngjashme.
Në një letërkëmbim tjetër me Iljaz Agushin, Erebara shkruan: “Vetëm sa arrita të përfundoj një abetare. Zoti donte të dal nga shtypi. Sa do të jetë e dobishme, do të dëftojnë ata që do të punojnë me të. Ju lutem, shpërndajeni aty ku do të ketë më nevojë dhe mundësisht, vendlindjen time, mos e leni pa të (abetaren A.L.)”
Hartimi i kësaj abetareje kishte për qëllim përhapjen e shkrimit në gjuhën shqipe në trevat e ndryshme shqiptare, me qëllim të luftimit të analfabetizmit dhe mbrojtjes nga ndikimi i shkollave serbe dhe bullgare.
Me botimin e kësaj abetare jo vetëm që u begatua fondi i abetareve, të cilat përdoreshin në këtë kohë, por njëkohësisht u krijuan mundësi më të mëdha që shpërndarja e saj të ishte me e lehtë dhe më e shpejtë.
“Abeceja shqype”, me formatin e saj, lehtë palosej dhe futej në xhep, madje kishte disa specifika të tjera, që e dallonin nga abetaret e tjera të kohës. Ajo nuk ishte e dedikuar vetëm për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme, por ishte shumë praktike, veçanërisht për mësim individual, edhe në rastet kur shqiptarët mësonin nga njëri-tjetri. Me këtë abetare mësohej lehtë leximi dhe shkrimi shqip. Në veçanti ishte e përshtatshme edhe për të rriturit.
Abetarja fillonte me moton: “N’o çdo mosh t’jesh për nji jav shqipen e mson dh’e shkruanë”. Ky optimizëm pedagogjik kishte efekt të madh psikologjik, sepse kjo moto përdorej si pjesë përbërëse e optimizmit të madh për mësimin e shkrim-leximit në gjuhën shqipe. “Abeceja shqype” ishte mjet i fuqishëm në duart e mësuesve, të cilët organizonin grupe të vogla me nxënës për mësimin e gjuhës shqipe.
Është me rëndësi të theksohet se të gjitha abetaret e kësaj periudhe kishin përmbajtje patriotike me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare. Ato ishin përpiluar sipas principeve të interesit kombëtar dhe dalloheshin me porositë e qarta edukativo-arsimore. Pas Kongresit të Manastirit dhe të Elbasanit, numri i abetareve u rrit dukshëm. Atëherë filluan të përpilohen abetare me Alfabetin e Manastirit. Shpërndarja e tyre bëhej me kujdes. Ato arrinin jo vetëm në vendet ku hapeshin shkollat, por edhe në ato vende ku nuk kishte shkolla. Kjo mundësonte organizimin e kurseve për fillestarë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe.
“Abeceja shqype” e Kumanovës ishte një libër shkollor i përpiluar nga publicisti Jashar Erebara. Këtë abetare e kanë përdorur shumë nxënës dhe të rritur jo vetëm në hapësirat e Maqedonisë verilindore, por dhe në shumë vende të Kosovës dhe me gjerë. Si e tillë, ajo llogaritet ndër abetaret e para, që e kanë kryer me sukses misionin e saj dhe ka ndihmuar në arsimimin fillestar në gjuhën shqipe.