Bota e konsumit ka vite që është brendësuar në jetën tonë, duke filluar edhe me blerjet bazike, e deri tek ato shpenzime të cilat i bëjmë edhe pse nuk kemi nevojë. Në këtë mes është miksuar komercializmi dhe diferencimet gjinore, të cilat kanë prekur edhe fëmijët.
Nëse keni ditëlindjen e fëmijës, mbesës, nipit etj., dhe doni të blini një veshje, do të hasni qindra modele, por a keni vënë re ndryshimet shumë të madha midis djemve dhe vajzave?! Nuk bëhet fjalë për ngjyrat, modelet apo zbukurimet. Ngjyra tipike blu për djemtë dhe roza mbizotëruese të vajzat ka kohë që është ngulitur në mendjen e shumicës së shoqërisë. Kësaj rradhe bëhet fjalë për ndryshimet midis njeri tjetrit të cilat përforcohen edhe me logo dhe shprehjet motivuese.
Për ta konkretizuar këtë dukuri, janë vëzhguar tre dyqane të cilat gjenden në Tiranë në disa pika të qendrave tregtare, dhe në shumë qytete të tjera të vendit tonë të cilat shesin produkte për fëmijë nga mosha 0- 14 vjeç. Çmimet në këto dyqane nisin nga 600 lekë deri në 10000 lekë, duke menduar që janë në nivelin mesatar, që do të thotë një pjesë e mirë e vendasve mund të blejnë në këto dyqane. Sigurish që këto produkte ideohen dhe prodhohen në Francë, Turqi dhe Itali, ndaj na bën të mendojmë se diferencat gjinore ekzistojnë kudo, madje dhe në këto vendet e zhvilluara.
Si motivohen djemtë?
Në pjesën më të madhe tek veshjet e djemve dominojnë këto fjalë apo shprehje:
– Je i shpejtë
– Të lumtë
– Bravo
– Shpirt i lirë
– Ec në rrugën e egër
– Fuqia e kampionit
– I lindur për të qenë i lirë
– Le të bëjmë një aventurë sëbashku
– Jeta është një udhëtim
– Rroke mendjen tëndë
– Rregullat e rrugës
– Aventurë
– Fitues
– Je hero
– Je legjend
– Shpejtësi pa limit
– Bëhu i fortë jeta është e vështirë
Fjalët që dominojnë më së shumti dhe që përsëriten janë: Je i shpejtë dhe je kampion. Në këtë mënyrë djemtë nxiten të jenë të fortë dhe të kenë besim tek veprimet e tyre. Çdo vështirësi ata mund ta përballin vetë.
Logot dhe simbolet
Përveç fjalëve dhe shprehjeve, si dizenjo për bluzet e djemve, në shumicën e rasteve janë zgjedhur kafshë që simbolizojnë forcën, krenarinë dhe pushtetin. Për shembull luan, tigër i shpejtë dhe i egër, ari, dragua, dinosaur etj.
Po ashtu vihen re dhe figura ndoshta jo fort të përshtatshme për moshën e fëmijëve siç është kafka.
Kjo e fundit e shoqëruar me shprehjet: Je i çmendur, apo je i rrezikshëm ku të dyja përforcojnë idenë se djemtë nuk kanë frikë nga asgjë.
Si motivohen vajzat?
Shprehjet që gjenden më së shumti në veshjet e vajzave janë si më poshtë:
– Je e mrekullueshme
– Ngyrat e dashurisë
– Më vjen keq për ty, ndihmë, wow
– Luaj si vajzë
– E forte si vajze
-Je mbreslënëse
– Je e bukur
– Ndiq ëndrrat
– Bëj diçka të bukur
– Më përqafo
– Lumturi
– E lezetshme
Mesa shihet në listën më lart, shumica e shprehjeve kanë tendencë të fokusohen tek pamja e jashtme, forma dhe jo përmbajtja dhe nxitja për vetëmotivim. Edhe në shprehjen “Luaj si vajzë” duket sikur jepen kufizime në veprime dhe lojra. Apo kur thuhet “e fortë si vajzë”, duket sikur forca e vajzave nuk duhet ta kaloje kufirin brenda femërores. Vajzave iu tregohet se janë për të qenë të bukura dhe për të dhuruar dashuri, apo të besojnë në magji sesa në forcën e tyre.
Logot dhe simbolet
Për sa i përket dizenjimit të veshjeve të vajzave këto kompani nuk tregohen shumë mendje hapura apo nxitëse në të njëjtën nivel si djemtë. Në bluzet e tyre shumicën e rasteve, vogëlushet kanë figura me kafshë të buta, të brishta apo që shquhen për bukurinë e tyre.
Për shembull një poni me flokë ylberi, një lepurush, një arush i vogël, kotele, miusha etj.Po ashtu gjenden edhe figura të tjera si: një kurorë me shumë ngjyra, yje, re të bardha, shtëpiza etj.
A ka dyqane që promovojnë barazinë?
Në këtë kërkim për dyqane të cilat kujdesen jo vetëm për pamjen por edhe përmbajtjen, mund të gjenden edhe nga ato të cilat mendojnë se fëmijëve iu shkojnë të gjitha ngjyrat, madje nxisin edhe barazinë.
Pse është e rëndësishme motivimi?
Motivimi është një proces i cili nis që në muajt e parë të jetës. Nëse prindërit nuk inkurajojnë fëmijën e tyre pas rrëzimit të parë, ai apo ajo nuk do të marri më guximin të çohet sërish. E duke vijuar në këtë mënyrë motivimi duhet të jetë bashkëshoqërues në çdo hap të fëmijës. Fëmija si djali apo vajza ka përpara një jetë të vështirë me shumë pengesa e probleme për të kaluar. Ndaj të dy duhet të dëgjojnë shprehje si:
Ti mundesh!
Herën tjetër do ja dalësh më mirë!
Forca, kurajo!
Bëj më të mirën tënde!
E ke realizuar shume mirë!
Kisha besim që do e arrije!
Nuk është fundi i botës, herën tjetër do ia dalësh!
Provo sërish, ti ke më shumë mundësi!
Motivimi shërben për të bërë problemet të tejkalueshme duke mos formuar fobi tek fëmija. Një fjalë kurajuese rrit vetëbesimin tek të vegjlit duke i ndihmuar në një personalitet më të fortë në të ardhmen. Motivimi i bën fëmijët më të pavarur dhe me kurajo për të përballuar sfidat. Prindërit kur bëhen të tillë sigurish që nuk mund të blejnë një manual motivimi, por të paktën të jenë më selektiv në komunikimin e tyre dhe të kuptojnë që fëmijët nuk i kalojnë situatat thjeshtesisht si të rriturut. Fëmijët i japin domethënie çdo gjëjë, simboli, ndodhie apo bisede.
Ndoshta herës tjetër kur t`i blini fëmijëve tuaj një veshje do të jeni më të kujdesshëm që të zgjidhni një bluze me një shprehje realisht motivuese si për vajzën apo për djalin tuaj.