Plakja qelizore është një proces i ndërlikuar që shkaktohet nga një sërë faktorësh, një pjesë e të cilëve janë studiuar në detaje, por shume të tjerë ende mbeten të panjohur.
Një qelizë e plakur nuk ndahet më për të dhënë qeliza të reja. Nëse një qelizë e tillë do të vazhdonte ndarjen, me shumë gjasa do të shndërrohej në një qelizë tumorale.
Sot ka një sërë studimesh që e shikojnë të mundshme kthimin e qelizave të plakura mbrapsht, duke i futur sërish në ciklin e ndarjes qelizore. Këto janë përpjekje të suksesshme të shkencës anti-moshë.
Në këtë pistë kërkimesh janë edhe punimet e një ekipi Koreano-Jugor të Advanced Institute of Science and Technology (KAIST), që kanë zbatuar strategji inovative për të identifikuar molekula që shënjestrojnë shndërrimin e qelizave të plakura në qeliza të reja. Ata kanë eksperimentuar me fibroblastet, qeliza të lëkurës që në kushte normale kontribuojnë në riparimin e dëmtimeve të lëkurës.
Këta shkencëtarë kanë bërë kërkime për një enzime që quhet PDK1 në kultura të fibroplasteve të plakura të vendosura në një skelet tredimensional që imiton lëkurën origjinale. Ata kanë zbuluar se bllokimi i kësaj enzime çon në pengimin e disa proceseve plakëse, e për pasojë rikthimin e qelizës që kishte humbur aftësinë ndarëse në një qelizë që rifutet sërish në ciklin e ndarjeve qelizore, pa u shndërruar në qelizë tumorale.
Në këtë mënyrë fibroplastet e plakura rimarrin procesin e tyre rigjenerues të dëmtimeve të lëkurës pa kaluar në qeliza malinje tumorale. Studimet e ardhshme parashikojnë të përqendrohen në gjenin e enzimës PDK1, i cili është shumë aktiv në disa lloje kancerash. Shkencëtarët mendojnë se duke e frenuar aktivitetin e këtij gjeni do të arrinin njëherazi një efekt antimoshë dhe antikancer.
Ekstrat i një artikulli botuar me 8 dhjetor 2020 në revistës shkencore amerikane Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS).