Drejtori i Arsimit në Komunën e Rahovecit, Muhamet Morina, ka thënë se gjysmëvjetori i dytë ka nisur me rregull dhe pa probleme në shkollat e kësaj komune, përkjashtuar në dy prej tyre.
Ai ka treguar se shkolla në fshatin Radost ditën e parë ka pasur probleme me ngrohje, ashtu si dhe shkolla “Gëzim Hasani – Piktori”, kjo e fundit sot nuk ka mbajtur mësim, por problemi është rregulluar dhe nga nesër nis normalisht mësimi dhe në këtë institucion shkollor.
“Në shkollën e Radostit është djegur një kabëll, dhe pasi është rregulluar sot ka funksionu normal dhe ka pasur ngroje dhe është mbajtur mësimi. Kurse në shkollën ‘Gëzim Hasani – Piktor'”, ka pasur defekt me tension të energjisë, nuk ka shkuar rryma tek nxemja, por kemi blerë përforcues dhe është rregulluar problemi dhe nesër (e mërkurë) fillon mësimi”, ka thënë drejtori Morina për AlbanianEducation.net.
Kurse, i pyetur për raportimet për mungesë të ngrohjes në shkollën “Xhelal Hajda Toni”, ai ka mohuar se nuk ka pasur ngrohje.
“Shkolla ‘Xhelal Hajda – Toni”, ka ngrohje, dhe problemi është vetëm se dritaret janë të vjetëruara. Kësaj shkolle dhe të gjitha të tjerave që kanë kërkuar pelet ju kemi dërguar dhe kanë ngorhje”, ka thënë ai.
Drejtori Muhamet ka treguar se nesër do të ketë një mbledhje në ora 10:00 me drejtorët e shkollave ku do të diskutohet për nisjen e gjysmëvjetorit të dytë, por edhe për çështjen e ngrohjes në shkolla.
“Nesër kemi mbledhje me drejtorët ku do të diskutohet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, por do të diskutohet edhe për çështjen e ngrohjes dhe do t’i bisedojmë me të gjithë drejtorët për të gjitha kërkesat eventuale”, ka thënë Morina. /AlbanianEducation.net/.