Joanna e dinte se kishte një fëmijë të preferuar që nga momenti i lindjes së djalit të saj të dytë.
Mamaja që jeton në Kent, në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se i do të dy fëmijët e saj, por fëmija më i vogël thjesht “e rrëmben” atë në një mënyrë që fëmija i parë nuk e bën.
Kur foshnja e parë e Joanna-s lindi, ai u largua me shpejtësi prej saj për shkak të një shqetësimi shëndetësor dhe ajo nuk mund ta shihte për 24 orë. Mungesa e kësaj periudhe të vlefshme lidhjeje, beson ajo, ishte fillimi i një preference afatgjatë për djalin e dytë, me të cilin ajo mundi të kalonte kohë menjëherë pasi lindi.
“Për t’i përmbledhur marrëdhëniet tona: duhet të caktoj një takim për të folur me më të madhin,” tha Joanna për BBC, emri i plotë i së cilës nuk u zbulua. “Me më të voglin, mund ta telefonoj në 02:30 dhe ai do të udhëtojë me kilometra për të më takuar. I vogli është djali më i bukur në planet. Ai është i kujdesshëm, bujar, i sjellshëm dhe miqësor. Ai është lloji i personit që do të ndihmonte këdo.”
Ndonëse luftoi me këto ndjenja për vite me radhë, Joanna thotë se tani është duke e pranuar këtë ndjesi. “Unë mund të shkruaj një libër se pse e dua njërin më shumë se tjetrin,” thotë ajo. “Ka qenë e vështirë, por unë nuk kam asnjë faj.”
Ndryshe nga Joanna, favorizimi i njërit prej fëmijëve është një temë delikate dhe nuk diskutohet. Të kesh një fëmijë të preferuar mund të jetë tabuja më e madhe e prindërimit, megjithatë hulumtimet tregojnë se shumica e prindërve kanë vërtet një të preferuar.
Me shumë prova që sugjerojnë se të qenit fëmija më pak i preferuar mund të formësojë personalitetin dhe të çojë në rivalitete midis vëllezërve dhe motrave, nuk është çudi që prindërit mund të shqetësohen për faktin se mund të kuptohen se cilin fëmijë kanë më të preferuar. Megjithatë, hulumtimet tregojnë gjithashtu se shumica e fëmijëve nuk e dinë se kush është në të vërtetë fëmija i preferuar i prindërve të tyre. Çështja e vërtetë, pra, është se si prindërit e menaxhojnë të paturit një fëmijë të preferuar.
“Jo çdo prind ka një fëmijë të preferuar, por shumë e kanë,” tha për BBC Jessica Griffin, një profesoreshë e asociuar e psikiatrisë dhe pediatrisë në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Massachusetts, SHBA. “Të dhënat sugjerojnë se nënat, në veçanti, favorizojnë fëmijët që kanë vlera të ngjashme me to dhe që angazhohen më shumë me familjen, në vend të cilësive si si të qenit shumë ambiciozë ose të dhënë pas karrierës.”
Pavarësisht nga arsyeja, disa studime tregojnë se shumë prindër me siguri kanë fëmijë të preferuar – pavarësisht nëse e pranojnë apo jo. Në një studim, deri në 74% e nënave dhe 70% e baballarëve në Mbretërinë e Bashkuar e trajtojnë ndryshe (dhe të favorizuar) njërin prej fëmijëve. Megjithatë, për shumicën, tema mbetet tabu. Në studime të tjera, kur prindërit u anketuan, vetëm 10% pranuan se kishin një fëmijë të preferuar, duke sugjeruar që për shumicën e nënave dhe baballarëve, ndjenjat e favorizimit mbeten një sekret.
Kur prindërit pranojnë se kanë një fëmijë të preferuar, hulumtimi sugjeron se rendi i lindjes luan një rol të rëndësishëm. Sipas të njëjtit sondazh të YouGov, prindërit që pranuan se kishin një fëmijë të preferuar treguan një preferencë ndaj më të voglit të familjes, ku 62% të prindërve që kanë dy fëmijë zgjedhin më të voglin e tyre. 43% e prindërve me tre ose më shumë fëmijë preferojnë të lindurit e fundit, një e treta zgjedh fëmijën e mesëm dhe vetëm 19% anojnë nga më i madhi.
Prindërim i “keq”?
Megjithëse prindërit shpesh kanë një të preferuar, shumë prej tyre janë të mbushur me faj, duke e ditur se shfaqja e një preference do të ketë një ndikim afatgjatë në ndjenjën e vetëvlerësimit të fëmijës. Shqetësimi nuk është krejtësisht i pabazë.
Fëmijët që rriten në familje ku mendojnë se trajtohen në mënyrë të padrejtë mund të përjetojnë një ndjenjë të fortë ku ndihen si të padenjë. Ata mund të mendojnë se janë të padëshirueshëm në një farë mënyre, ose nuk zotërojnë tiparet dhe karakteristikat e veçanta të nevojshme për t’u dashur nga të tjerët. Ndjenja si delja e zezë e familjes mund të çojë në frikë dhe pasiguri – fëmijët mund të bëhen të vetëmbrojtur dhe të përpiqen të jenë tepër të mirë dhe të këndshëm me të tjerët.
Provat sugjerojnë se nëse trajtimi preferencial nuk është shumë ekstrem, shumica e fëmijëve nuk ndikohen nga të qenit fëmija më pak i preferuar. Në fakt, në shumicën e rasteve fëmijët mund të mos e dinë që prindërit e tyre parapëlqejnë vëllanë ose motrën. Studime të tjera kanë treguar se fëmijët e identifikojnë gabim se kush është fëmija i preferuar në më shumë se 60% të rasteve.
Griffin argumenton se është krejtësisht në rregull – dhe madje pritet – që prindërit të kenë të preferuarit dhe se ata nuk duhet të ndihen fajtorë nëse mendojnë se janë më afër me një fëmijë sesa me tjetrin. Ajo tha për BBC se edhe pse fëmijët që besojnë se janë fëmija më pak i favorizuar priren të kenë vetëbesim më të ulët dhe shkallë më të lartë të depresionit, në shumicën e rasteve, fëmijët nuk e kanë idenë se cilin vëlla apo motër preferojnë prindërit.
Ndoshta në fund të fundit, kush është fëmija i preferuar nuk ka aq shumë rëndësi. Favorizimi nuk do të thotë më pak dashuri.
Megjithatë, ajo rekomandon që prindërit ose fëmijët që shohin se favorizimi po ndikon në marrëdhëniet e tyre ose shëndetin mendor duhet të flasin me një pediatër ose profesionist të shëndetit mendor. “Do të ketë ditë kur ne preferojmë të jemi rreth një fëmije sesa me një tjetër, për një sërë arsyesh të ndryshme,” tha ajo. “Gjëja e rëndësishme që duhet mbajtur mend është se të kesh një fëmijë të preferuar nuk do të thotë se nuk i do njësoj të tjerët.”
/Marrë nga Anabel