Pavarësisht moshës, të zbulosh se njëri prind tradhton tjetrin është diçka e vështirë për t’u pranuar dhe menaxhuar. Dikush në Anabel Media në Instagram shkroi si në vijim (letrat janë redaktuar për qartësi):
“Së fundmi kam zbuluar që babai po tradhton mamin me një njeri të besuar të saj dhe kjo grua është pjesë e përditshmërisë së tyre. Prindërit janë 29 vite të marturar.
Mami e ka kapur mat me një tjetër tradhti para ca vitesh, por për investimin, sakrificat familjare dhe opinionin e divorcit, ajo nuk e shikon si opsion e beson se babi ka ndryshuar dhe me të vërtetë e do.
Divorci nuk është dëshirë as e babit – çështje egoje jo dashurie nga ana e tij besoj. Nëse babi vazhdon kështu, e di që është çështje kohe derisa mami ta zbulojë.
Tradhtia e mëparshme e shkatërroi mamin, e dyta, sidomos nëse ajo e zbulon vetë, do e coptonte akoma më shumë.
Unë dua të konfrontoj babin, por kur kërkon online për histori të ngjashme, nuk gjej shumë mbi pasojat që konfrontimi fëmijë-prind mbi tradhtinë e këtij të fundit mund të ketë në çift e familje, sidomos në kontekstin e një familjeje shqiptare. […] Jam shumë e paralizuar emocionalisht dhe këtë situatë nuk di si ta menaxhoj.”
Fill pas këtij postimi, në Anabel mbërritën shumë mesazhe, ku disa ndjekës sugjeronin që në këtë rast, fëmija duhet të flasë për tradhtinë, qoftë duke folur me të atin, ose duke i thënë menjëherë të ëmës. Dikush, nga ana tjetër, shkruan:
“Thjesht qëndro në pozicionin tënd në familje si vajza e tij. Shihe gjithmonë si prindin tënd, si është sjellë me ty dhe si ka ndikuar ai si prind te ndërtimi yt si njeri. Mos e shih si “babai që tradhton mamin”. Mendoj që mënyra më e mirë është kjo (sepse më ka ndodhur dhe të kuptoj) është që mami dhe babi t’i zgjidhin vetë problematikat. Ne si fëmijë duhet t’i ndihmojmë gjithmonë për mirë. Nëse i kanë bërë padrejtësi njëri-tjetrit, duhet t’i lëmë të qetë që t’i zgjidhin të dy së bashku. Mund të mundohemi të japim këshilla veç e veç.”
Një tjetër ndan një histori të ngjashme:
“Unë kam qenë ai fëmija që i kapte babit tradhtitë. Në fillim e detyroja t’i tregonte mamit. Pastaj gjërat nuk ndryshonin kurrë sepse ndodhte gjithmonë e njëjta gjë: ziheshin, bërtisnin, nuk flisnin për ca kohë dhe pastaj jetonin sikur nuk kishte ndodhur gjë. Ai premtonte që kishte ndryshuar, kalonte disa kohë dhe unë e kapja përsëri e përsëri e përsëri. Vuaja. Kam kaluar depresion, atake paniku, atake agresiviteti. Një herë, nga inati që kisha mbledhur për babin, e kisha ngjitur në mur me shumë forcë.
U bëra me fiksime. Aq sa kur u lidha, rrija kontrolloja gjithçka. […] Pasi u largova nga babi, pasi u martova, pasi bëra fëmijët e mi, kuptova shumë gjëra. Kuptova që jo të gjithë janë njësoj. Kuptova se çdokush reagon në gjëra ndryshe se një tjetër, kuptova që në mes të një çifti nuk duhet të hysh kurrë. Kuptova që babai mund të jetë një bashkëshort i keq, por kjo s’e bën një baba të keq.
Kuptova që çdo çift ka problemet e veta, shumë e vështirë të rrish shumë vite me një person, duhet të ketë dialog të hapur, sinqeritet, mirëkuptim, qetësi, dashuri, tërheqje seksuale. Kuptova që edhe mund të ndodhë që të mbarojë dashuria, të mos ketë tërheqje seksuale dhe të mos ndahesh, për hatër të fëmijëve apo që të mos flasë bota.
Kuptova që prindërit e mi kishin shumë probleme si çift. Kuptova që kur tradhtonte, nuk po më tradhtonte mua (si gocën e tij), sepse dashuria për mua s’kishte mbaruar kurrë, por thjesht kërkonte të ndiente diçka që me mamin nuk e kishte.
Kuptova që një martesë nuk është aspak e thjeshtë për t’u çuar përpara. Se jeta nuk është skenar filmi. E di që tani ndjen inat, por ai s’po të bën gjë ty. Babai im, për shembull, është copëtuar duke punuar, më shkolloi, më mësonte si të isha e zonja e vetes. Dhe duke lënë mënjanë tradhtitë, duke parë anën e çdo prindi, kuptoj që ka qenë një prind perfekt. Sot e kam falur dhe jam në paqe me veten.
Do e këshilloja që të bënte sikur nuk dinte gjë. Të mos futet mes çiftit. Ti je fëmija i saj, s’mund të bëhesh prindi duke mbrojtur mamin. E di që është e vështirë, por nuk je brenda çiftit.”
Në një diskutim të ngjashëm në Quora, disa thonë që “prindi që tradhtohet meriton të dijë të vërtetën”, të tjerë theksojnë se “duhet folur paraprakisht me prindin që tradhton”, ndërsa një pjesë e mirë janë totalisht kundër që fëmija të përzihet në marrëdhënien e çiftit.
Është e vështirë që dilema për një situatë të tillë të ketë një përgjigje unanime.
“Kjo është një temë shumë delikate që ka shumë anë. Nga një anë ti je fëmija dhe nuk ke pse ngatërrohesh me ata si çift, sepse ata janë partnerë, ti je në rolin e fëmijës. Ti mund ta ndihmosh mamin të kuptojë situatën, por në momentin që ti zgjedh t’i thuash në këtë rast mamit që babi tradhton, automatikisht ke një pozicion tjetër. Nuk je më fëmijë. Ti po vendosesh si shpëtimtar/e në një marrëdhënie që ndoshta nuk do të ndryshojë kurrë,” tha psikologe Aljona Jonuzi pë Anabel.
“Një fëmijë i rritur mund të punojë me problemet që kanë me prindërit, por kurrsesi nuk duhet ta vendosi veten në mes të prindërve,” thotë Dr. Gail Bottom, një psikoterapist me bazë në New York i pyetur në lidhje me një situatë të ngjashme.
Marre nga Anabel