Kohët e fundit, mediat janë fuqizuar aq shumë, saqë ndikimi i tyre llogaritet të jetë i pakrahasueshëm.
Nevoja që të futet edukimi medial si lëndë obligative në sistemet parauniversitare në Kosovë, ka qenë qysh moti, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MAShTI) në këtë drejtim.
Edhe pse nga ana e MAShTI-it është arritur që të organizohet kurrikula dhe lënda e Edukimit Medial të futet si lëndë zgjedhore në shkollat e mesme të larta, ende nuk ka ndonjë hap tjetër sa i përket futjes së kësaj lënde si obligative në të gjitha nivelet e sistemit arsimor në Kosovë.
Kështu krejt ajo që ka mbetur, është që studiuesit e shkencave të komunikimit të krijojnë metoda të mbrojtjes nga mediat.
Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri për Portali D ka thënë se futja e lëndës së Edukimit medial në ciklin parauniversitar, është e nevojshme dhe e domosdoshme.
Sipas Jahirit, zhvillimi i ulët i shkathtësive dhe i gjykimit kritik te fëmijët në aftësimin e përdorimit të mediave, si zgjidhje të vetme e ka mësimin mbi edukimin medial.
Ndërsa, sa i përket futjes së kësaj lënde si obligative në shkolla, ai ka thënë se edhe pas takimeve të njëpasnjëshme nga Departamenti i Gazetarisë me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ende nuk është bërë ndonjë hap në këtë drejtim.
“Përdorimi i medieve të reja dhe rrjeteve sociale pa përgatitje mësimore, është një gjendje kaotike, pak a shumë i ngjan një ngasjeje të një makine në një metropol, i papajisur me patentë shofer”, ka thënë Jahiri.
Ndërsa, ai ka thënë ndër të tjera se lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur mospërgatitjen e një mase në fushën e Edukimit Medial, e që sipas tij, në këtë kohë lufta është zhvilluar në dy fronte, me anë të propagandës dhe atë ushtarake.
“Lufta (hibride) në Ukrainë, do të duhej të ishte një mësim në secilin vend, e sidomos për ato vende që kanë një shkollim mesatar që t’i kushtohet rëndësi përgatitjes së masës në raport me “betejat” online, që shumë herë janë me synime dhe qëllime të dëmshme për ta, shoqërinë dhe shtetin”, ka shtuar Jahiri.
Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që nga viti 2016 kur e ka miratuar kurrikulën bërthamë për herë të fundit nuk e ka trajtuar më çështjen e Edukimit Medial për fëmijët që vijojnë sistemin publik të shkollimit.
Futja e kësaj teme si çështje ndërkurrikulare në sistemin e arsimit publik ishte një hap i rëndësishëm, por pak i vonshëm.
Megjithatë, ende nuk ka ndonjë lëvizje, e cila do ta ndryshonte statusin e kësaj lënde.
Zëdhënësja e MAShTI-t, Iliriana Pylla, për Portali D, ka thënë se Edukimi Medial është pjesë integrale e kurrikulës, si temë ndërkurrikulare e hartuar nga MAShTI.
Sipas saj, brenda këtij konteksti, MAShTI ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve ”Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzuesit për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.
Ajo ka thënë, ndër të tjera, që esenciale ёshtё qё nga ana e MAShTI-it, siguria nё internet trajtohet me rezultate konkrete brenda kompetencave mёsimore qё i synojnё dokumentet kurrikulare arsimore.
“Janë trajnuar 161 koordinatorë të cilësisë të 25 komunave dhe udhëzuesit tashmë përdoren në shumë shkolla dhe komuna. Shkollave u sugjerohen aktivitete shkollore për ndërgjegjësimin e komunitetit shkollor për përdorimin e sigurt të internetit”, ka thënë ajo duke shtuar se MAShTI në kontekstin legjislativ bazuar në mandatin e vet, ka nxjerrë edhe Udhëzimin administrativ nr. 1/2019 për mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Kosova duhet të ndjekë praktikën e vendeve të tjera sa i përket futjes së edukimit medial në shkolla.
Sipas studimeve, në shkollat e mesme në Finlandë, arsimi për media është prezantuar në vitin 1977.
Ndërsa, edukimi medial ka qenë i detyrueshëm edhe në vende të tjera, në Danimarkë nga viti 1970, ndërsa, në Suedi nga viti 1980.
Ndërkaq, nxënësit e arsimit parauniversitar janë ata që më së shumti i përdorin mediat dhe që më së shumti kanë nevojë për një edukim medial.
Sidoqoftë, sipas njohësve të edukimit medial, në çfarëdo cikli që do të futej kjo lëndë do të ishte një lloj “eksperimenti” për krijimin e mendimit kritik të shoqërisë kosovare.