E shtunë, 22 Shkurt, 2025

A duhet ta heqim Ë-në nga alfabeti?

- Advertisement1-

Shkronja e tetë e alfabetit të gjuhës shqipe u ka nxirë jetën krejt shqipfolësve kosovarë. Bëhet fjalë për shkronjën Ë.

Pra, bëhet fjalë për një zanore fare të thjeshtë dhe jo për bashkëtingëlloret e ndërlikuara si “xh” apo “dh”. Meqë Ë-ja po na torturon përditë e përnatë, shtrohet pyetja: çka të bëjmë? A ta heqim krejt nga alfabeti ynë apo thjesht të ikim nga vendi e të flasim në anglisht.

- Advertisement -

105 mijë e 601 kosovarë kanë aplikuar për viza pune në Gjermani vetëm për dy muaj. Ndërkohë, në një sondazh të Piposit, dilte se 60 për qind e të rinjve po ashtu do të iknin nga Kosova, nëse do t’u jepej mundësia. Shkronja Ë besohet – të paktën nga autori i shkrimit – të jetë një ndër arsyet kryesore që po nxit të rinjtë kosovarë të ikin nga shtëpitë e tyre.

Telashet e mëdha me përdorimin e gjuhës amë janë rritur, sidomos pasi shumica e popullit vendosi të hynte në rrjetin social të quajtur Facebook. Të shkruaje në gjuhën shqipe ishte më e zorshme – shumë më e zorshme – se sa që mendohej dikur. Madje, edhe për figura publike me nam goxha të madh. Gabonte mësimdhënësi e gabonte nxënësi. Gabonte politikani e gabonte votuesi i tij. Por, të mos shkruaje si duhet në gjuhën shqipe ishte edhe e rrezikshme politikisht: të ngjitej menjëherë etiketa e “analfabetit funksional”. Dhe Ë-ja doli se ishte problemi më i madh.

‘Ësht’ apo ‘është’, ‘vështir’ apo ‘vështirë’, ‘bëjn’ apo ‘bëjnë’. Këto janë disa nga dilemat e pakapërcyeshme për kombin e ri kosovar.

Të vësh Ë a të mos vësh Ë – kjo është çështja!

Madje, përdorimi i rregullt apo i çrregullt i kësaj zanoreje po shërben edhe si mekanizëm që strukturon skemën e punës. Ata që dinë ta vënë ku duhet marrin vende më të mira pune. Ata që s’dinë, marrin vende më të këqija pune.

Ë-ja bile shërbeu edhe në luftën politike. Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, gjatë kohës sa ishte opozitar e kishte sulmuar kundërshtarin e tij Hashim Thaçin se nuk dinte ta përdorte si duhet shkronjën ‘ë’.

- Advertisement -rrrrrrr

“Në vend se ta shkruante për veten kryetar, ai e kishte shkruar kryetarë, me ë në fund”, kishte vërejtur z. Kurti.

Politikani nga Prizreni, Zafir Berisha, është ndër keqpërdoruesit më të njohur të kësaj shkronje. Pa fajin e tij. Sidoqoftë, nuk na u duk e sjellshme ta pyesnim për këtë çështje.

Në lidhje me temën na shkroi një ndër profesorët më të njohur të Gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi, i cili tha si vijon:

“Shkronja ‘ë’ paraqet një nga problematikat më interesante të normës së shqipes, pasi sipas rregullave të drejtshkrimit, ajo shfaqet duke ndjekur tri parimet themelore të drejtshkrimit: parimin fonetik, që më shumë i shkon toskërishtes, pasi gegërishtja e bjerr ose e alternon pa problem me ‘e’ ose ‘a’ hundore; parimin morfologjik për të shenjuar trajta gramatikore si shumësi (punëtor/punëtorë, me ç’rast ë-ja nuk shqiptohet fare), veta e tretë e lidhores (unë mund të shkoj/ai mund të shkojë) apo edhe parimin historik-tradicional (burrë/burri, lumë/lumi, djalë/djali). Realisht, gegërishtja e abstrahon në masë të skajshme ë-në si tingull, edhe pse diku-diku mund të jetë ‘lubrifikant’ i natyrshëm ndërmjet bashkëtingëlloresh vështirë të shqiptueshme.”

Dhe, shkronja Ë – siç na rrëfeu Paçarizi – kishte shkaktuar sherr edhe te gjuhëtarët tanë.

“Ë-ja në njëfarë mase ka marrë edhe vlerën e markerit ideologjik, të identifikimit me shqipen standarde e me Shqipërinë, teksa ka një tendencë që ajo të zërë vend hiperkorrektivisht në fjalët si ‘shqipëtar’, ‘ tradhëtar’. Në një takim të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, kur kërkuam që ë-ja të hiqet nga fjalët si ‘kombëtar’, reagimet ishin shumë të ashpra, pasi dikush konsideronte se po e shkatërronim shqipen, duke hequr shkronjën ‘ë’ pikërisht të fjala ‘kombëtar’, duke harruar që pikërisht më rregullat e 72-shit ishte hequr nga fjalët ‘shqipëtar-shqiptar’ , ‘arësim-arsim”, etj.”, na tha z. Paçarizi.

Për ta kuptuar më mirë hallakamën për Ë-në, e pyetëm edhe Rina Kryeziun, e cila punon si lektore në gazetën Nacionale.

“Ka shumë rregulla për drejtshkrimin e ë-së, të cilat mund të mësohen vetëm nëse e studion gjuhën, ose mund të përvetësohen si ide nga dikush që lexon shumë ose punon vazhdimisht me tekste”, na tha fillimisht ajo.

Por, pse disa e përdorin më shumë se që duhet? Përsëri nuk guxuam ta pyesnim Zafir Berishën, që njihet për një gjë të tillë.

“Përdoruesit e thjeshtë të gjuhës e kanë idenë e ekzistimit të ë-së në drejtshkrim, e kjo gjë atyre u rri në mendje vazhdimisht kur shkruajnë, duke i çuar në hiperkorrektizëm – frika se mos po e harrojnë ndonjë ë aty ku duhet, i bën ta shkruajnë atë edhe ku nuk duhet”, na tha Kryeziu.

A bën që ta heqim krejt nga gjuha shqipe shkronjën Ë?

Nëse do ta hiqnim krejt ë-në nga gjuha shqipe, ose përnjëherë nuk do të bëheshim super-sensitivë në keqpërdorimet e saj, a do të bëhej nami?

Menjëhershëm, do të zhdukeshin klasifikuesit e thjeshtuar të njerëzve “të dijshëm” dhe atyre “të padijshëm”. Ndoshta, tregu i punës do të hapej më shumë dhe s’do të aplikonin për ikje nga vendi mbi 100 mijë të rinj për dy muaj. E ndoshta, do t’i kushtohej më shumë rëndësi përmbajtjes së një fjale se sa formës së saj.

Por për këtë çështje, pushteti u takon – për momentin – gjuhëtarëve!

“Ë-ja luan role të ndryshme në gjuhë, si fonemë, e si mekanizëm gramatikor. Nuk bën të hiqet nga përdorimi vetëm pse drejtshkrimi i saj është vështirë i përvetësueshëm, ose pse ne nuk e dëgjojmë atë në disa raste kur flasim. Ne edhe e dëgjojmë si fonemë në shumë raste të tjera, si p.sh. te fjalët shëndet, bëj, dëgjoj, vegël, komunizëm, etj.”, na tha lektorja.

Sidoqoftë, a mund të ndodh kjo në të ardhmen?

“Po, gjuhët ndryshojnë vazhdimisht, e këtu rol kyç kanë përdoruesit e saj. Nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen fjalëve të caktuara t’u largohet ë-ja, pasi janë shkruar pa të për një kohë të gjatë. Kështu ka ndodhur me fjalët shqiptar e arsim, që dikur kanë qenë shqipëtar e arësim”, përfundoi ajo.

Se cila do të jetë e ardhmja e kësaj shkronje, mbetet të shihet. Por nevoja për ndërhyrje duket urgjente.

*Busti i mësipërm ndodhet në Ulyanovsk të Rusisë. /NACIONALE/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Burri gjen letrën 130-vjeçare në shishe me mesazhin e rëndësishëm brenda saj

Ludovic Mollier, një artizan francez, gjeti një shishe që përmbante një letër me një...

Thënie të famshme nga George Washington: Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës –...

Gazeta amerikane ripublikon artikullin e vitit 1904 për shqiptarët si populli më fisnik

Gazeta amerikane “The Seattle Star”, më 29 prill 1904, botoi artikullin “Shqiptarët, një racë...

Si të përballoni stresin në punë?

Stresi në vendin e punës është një problem që prek shumicën e njerëzve dhe...