E martë, 26 Nëntor, 2024

A do të paguhen mbinormat e profesorëve të rregullt dhe pagesat e bashkëpunëtorëve të jashtëm në UP?

- Advertisement1-

Profesorët e angazhuar me orë shtesë në Universitetin e Prishtinës po ballafaqohen me vështirësi të mëdha në marrjen e pagave për punën e tyre. Situata është shqetësuese, dhe disa prej tyre nuk janë paguar që prej muajit shkurt. Sipas tyre, nëse kjo nuk zgjidhet në mënyrë ligjore, atëherë bojkoti i mësimit mbetet opsion i hapur. “Koha po kalon dhe durimi po shteron”

Profesorët dhe asistentët e angazhuar me orë shtesë nuk janë duke u paguar për punën që e kanë bërë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), por më keq se këta të fundit i kanë punët bashkëpunëtorët e jashtëm të UP-së.

- Advertisement -

Për këtë, për Portalin Dukagjini ka folur asistenti i cili është bashkëpunëtor i jashtëm i Universitetit të Prishtinës, Labinot Kelmendi.

Ai ka thënë se si bashkëpunëtor i jashtëm i UP-së, paga nuk i është kompensuar që nga muaji shkurt.

“Nuk janë kompensuar pagat e muajve shkurt, mars, prill dhe maj”, ka thënë Kelmendi, teksa ka shtuar se nuk e di datën se kur mund të paguhet për punën e bërë.

I pyetur nga Portali Dukagjini se sa është e vështirë të jesh bashkëpuntor i jashtëm i UP-së në këto kushte, ai është përgjigjur se “mund ta merrni me mend”.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Universitetit të Prishtinës, Marigonë Vrajolli, ka bërë të ditur se menaxhmenti i UP-së është i informuar në lidhje me rastin në fjalë dhe po merret intensivisht për zgjidhjen e problemit.

“Menaxhmenti i UP-së është i informuar dhe intensivisht po merret me zgjidhjen e problemit. Raportet e punës sipas mbajtjes së mësimit dhe kontratave janë dërguar disa herë radhazi në Ministrinë e Financave. Problemi qëndron në zbatimin e ligjit të pagave, pasi ligji nuk ka dispozita kalimtare dhe nuk e specifikon qartë se universiteti mund të angazhojë profesorë të jashtëm”, thuhet në përgjigjen e saj.

- Advertisement -rrrrrrr

Më tej, ajo ka bërë të ditur se ky problem nuk qëndron vetëm në disa njësi akademike, por në të gjitha njësitë, të cilat veprojnë në kuadër të Universitetit.

“Ky problem qëndron në të gjitha njësitë akademike të UP-së. Ne kemi marrë ankesa dhe i kemi dhënë përgjigje të gjithë stafit dhe i kemi njoftuar për problemin”, ka thënë Vrajolli.

Ndërsa, në anën tjetër, profesori dhe kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka thënë se e ka ngritur si çështje këtë shqetësim të profesorëve dhe se problemi qëndron te ligji i ri i pagave.

“Unë mendoj që është një shqetësim shumë legjitim, edhe me qenë kështu krejtësisht i sinqertë, unë vazhdimisht e kam ngritur përbrenda forumeve tona joformale, të cilat i kemi me ministrat e kabinetit e kështu me radhë. Por, fatkeqësisht ende nuk është adresuar nga Qeveria. Unë me sa kam informata, ka mbetur te një nevojë për të interpretuar ligjin e ri të pagave në kontekst të kontratave, të cilat janë lidhur më herët konform ligjeve në fuqi. Ligji i ri i pagave nuk ka paraparë një dispozitë kalimtare për të kompensuar ose realizuar gjitha pagesat, të cilat janë lidhur shumë kohë përpara ligjit të pagave, siç është rasti me mbinormat e profesorëve të rregullt ose pagesat e bashkëpunëtorëve”, ka thënë Gola.

Tutje, ai ka thënë se “koha po kalon dhe durimi po shteron i profesorëve, me plotësisht të drejtë”.

Ai ka theksuar se ndjehet keq edhe përpara kolegëve të tij, të cilët i njeh personalisht, por edhe kolegët të cilët nuk ka raporte personale me ta në lidhje me këtë çështje, duke thënë se “ka pasur të tillë të cilët edhe rrugës më kanë ndalur dhe pyet se pse po ndodh kjo dhe jam mundur t’ua jap një sqarim”.

Profesori Ardian Gola bëri të ditur se kjo do të rregullohet shumë shpejt dhe do të insistojë edhe si kryetar i komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës që ky problem të zgjidhet brenda muajit shtator.

“Do të insistoj që kjo të rregullohet sa më shpejt, madje do të insistojë që kjo të rregullohet me pagën e shtatorit, por ta shoh sa janë edhe mundësitë procedurale që të realizohet brenda këtij muaji. Do të jem krejtësisht i qartë dhe mendoj që ky shqetësim është krejtësisht legjitim, e drejta e tyre është plotësisht në anën e tyre dhe unë mendoj që ka një gabim në aplikimin rreth këtij ligjit të ri të pagave për sa i përket të gjitha atyre kontratave të cilat janë lidhur shumë kohë më herët. Kontrata të cilat janë lidhur në vitin 2022, më së largu kanë mundur të jenë në qershor dhe korrik, eventualisht në shtator, ndërsa ligji i pagave është futur në fuqi në shkurt të 2023-ës, kështu që kemi të bëjmë me një periudhë shumë kohë më parë, para se të futej ligji për paga në fuqi dhe aplikimi retroaktiv… thjesht është i pakuptim”, ka përfunduar Gola.

Profesorët dhe asistentët e UP-së të cilëve iu ka mohuar e drejta e pagesës për punën që kanë bërë, sipas burimeve të Portalit Dukagjini nëse nuk zgjidhet në mënyrë ligjore kjo e drejtë e tyre ata do të bojkotojnë procesin mësimor.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë në dijeni dhe është ngritur si çështje.

“Është ngritur çështja dhe ne që në fillim kemi reaguar sepse edhe te ligji i pagave, personelit mësimor atje ka tendenca me ia zbrit pagat, por nuk i është zbritur sepse ligji i mbron për një vit”, ka thënë Jasharaj në një prononcim për Portalin Dukagjini.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Pensionohet profesori Bahri Hajredini nga Mitrovica

Profesori Bahri Hajredini, një figurë e nderuar dhe udhëheqës i shumë brezave nxënësish, del...

Shkolla “Mid’hat Frashëri” në Krajk të Hasit feston në mënyrë madhështore 28 Nëntorin

Fëmijët e klasës përgatitore të SHFMU "Mid'hat Frashëri" Krajk -Has me edukatoret e tyre...

VJEN PREMTIMI I MADH: Nga 671 në 840 euro, rritje e pagave të mësimdhënësve në javën e parë të qeverisjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar në Vushtrri planin...

Shkolla “Pjetër Budi” në Lubizhdë të Hasit organizon program festiv për 28 Nëntorin

Për nder të “28 Nëntor” , SHFMU “Pjetër Budi”, organizoi një program festiv për...