Po ju sjellim tekstin e betimit solemn të mësuesit apo si quhet ndryshe edhe Betimi i Hipokratit (i pedagogjizuar) të cilin në vitin 1966 për nevojat e UNESKO-s e përpiloi pedagogu zviceran, Robert Dottrens 1893 – 1984.
Ndryshimet kanë përfshirë globin. Gjithçka është duke u përmirësuar nga dita në ditë. E vetmja që i ka rezistuar ndryshimeve të thella është profesioni i mësuesit. Mësuesit ishin, janë dhe me siguri që do të jenë edhe në të ardhmen pika kyçe e zhvillimit të shoqërisë. Rruga drejt suksesit fillon në bankat e shkollës.
Por, a betohen mësuesit në Shqipëri?
Në të vërtet të vetmit që betohen në vendin tonë janë mjekët.
Ne bëmë disa kërkime dhe pamë që në shumë vende të botës mësuesit betohen. Po ju sjellim tekstin e betimit solemn të mësuesit apo si quhet ndryshe edhe Betimi i Hipokratit (i pedagogjizuar ) të cilin në vitin 1966 për nevojat e UNESKO-s e përpiloi pedagogu zviceran, Robert Dottrens 1893 – 1984.
“Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe krenari.
Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do harroj që për fatin e tyre edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë.
Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të mësuesit.
Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi.
Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.
Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder!”
Më tej në rrjetet sociale është një formë betimi e shkruar nga një mësues identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Shikoni se si betohet ai:
“Betohem si misionar i dijes, demokracisë dhe humanizmit, si pishtar i kulturës dhe përparimit kombëtar, si edukator i brezit të ri, se do ta realizoj misionin tim për të mishëruar në praktikën e gjallë të procesit mësimor-edukativ kërkesat e kurrikulës kombëtare të arsimit, duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kushtetuta dhe ligjet për arsimin, nga dispozitat normative të arsimit parauniversitar, nga ligji për rregullat e etikës zyrtare si dhe nga parimet morale të mësuesisë.
Në pajtim me dijet bashkëkohore, kërkesat shkencore, pedagogjike dhe psikologjike të mësimdhënies dhe në harmoni me bindjet e mia, do ta nderoj profesionin tim, mirëbesimin e fëmijëve dhe komunitetit prindëror, duke punuar mbi bazë të kërkesave dhe standardeve shtetërore për arsimin, në harmoni me bashkësinë dhe solidaritetin profesional të armatës së madhe të mësuesve. Veprimtaria ime në shkollë dhe jashtë saj do të karakterizohet nga etika humane, nga reflektimi intelektual, sjellja e kulturuar dhe komunikimi i qytetëruar.
Betohem se do të respektoj traditat dhe zakonet më të mira të etikës profesionale të mësuesit dhe të jap ndihmesën time në zhvillimin e arsimit kombëtar dhe shkencave pedagogjike. Betohem”. /portalishkollor/