Me gjithë premtimet për lehtësim financiar për prindërit, shumë familje po përballen me vështirësi në sigurimin e librave dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre.
Një nënë, në një prononcim për Klankosova.tv, shpreh zhgënjimin për mbështetjen e pamjaftueshme.
M.A, në kushte anonimiteti, tha për Klankosova.tv se librat e dy fëmijëve të saj që vijojnë mësimet në shkollë të mesme duhet t’i blejë vetë. Ajo thotë se 80 euro nuk i mjaftojnë për blerjen e tyre.
“Vetëm për një fëmijë m’i kanë dhënë 80 euro, e për këtë në gjimnaz duhet na vetë me i ble. Ku janë tani dhe fletoret… Vetëm mujorja [e autobusit] më kushton 36 euro, me 120 euro social. Me apliku kam apliku, nuk e di a më është pranu apo jo”, u shpreh kjo nënë e shqetësuar për Klankosova.tv.
E njohësi i arsimit Xhavit Rexhaj për Klankosova.tv tha se nuk ka parë ndonjë dokument, program apo politikë të definuar për shpërndarjen e tanishme të teksteve shkollore, duke shtuar se kjo praktikë mbase mund të rregullohet me ligjin e ri.
Ai shton se procesit të shpërndarjes së librave për problematik, duke përmendur këtu edhe zbatimin e aplikimit online, si dhe shumën e pamjaftueshme për blerjen e teksteve shkollore.
Ndërkaq, këtu përmend edhe faktin se shumë prindër mund ta shfrytëzojnë situatën, t’i kursejnë paratë e siguruara nga shteti dhe fëmijëve t’u japin libra të përdorura.
“Në anën tjetër, e shoh shumë problematike komplikimin e procesit të shpërndarjes së librave përmes (a) futjes në zbatim të aplikimit elektronik të prindërve, (b) kryerjes së mijëra transfereve financiare me mundësi të shumta gabimi, (c) ngarkesës së prindërve për të kërkuar dhe blerë librat nëpër disa librari. Çdo hallkë që shtohet në zinxhirin e shpërndarjes nënkupton edhe rritje të çmimit ose të resurseve / angazhimit për sigurimin e librave. Për shembull, libraritë duhet të angazhojnë personel dhe hapësirë për kryerjen e detyrës së vetë dhe kjo gjithsesi ka një kosto dhe çmim të caktuar”, tha Rexhaj për Klankosova.tv.
Sipas tij, tekstet shkollore nuk janë çështje e tregut të lirë, andaj çmimi i tyre duhet të rregullohet.
“Një problem tjetër, po duket të jetë rritja e kostos për furnizim të librave, sepse (sa e di unë) nuk ka një limit të epërm të caktuar për çmimin e teksteve shkollore. Domethënë, nëse nuk gabohem, unë këtë e shoh si liberalizim të çmimeve të teksteve shkollore”.
Sa i përket subvencionimit të teksteve në lehtësimin e barrës financiare për prindërit dhe me ndryshimin e ndjerë në praktikë, Rexhaj tha se nuk mendon se ka sjellë lehtësim.
“Nuk mendoj se ka sjellë ndonjë lehtësim në barrën financiare, sepse tekstet shkollore për arsimin themelor (1-9) edhe më herët janë siguruar nga shteti. Sa i përket ndihmës për blerjen e materialeve shkollore, mendoj se ajo është dashur të jepet vetëm për familjet në asistencë sociale. Alternativisht, shuma prej disa miliona euro do të mund t’u shpërndahej shkollave për blerjen e materialeve shkollore për nxënësit e vetë”, u përgjigj Rexhaj.
Mossubvencionimi i teksteve për nxënësit e shkollave të mesme?
Lidhur me atë se cilat janë arsyet që e kanë lënë arsimin e mesëm jashtë subvencionimit për tekstet shkollore, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se shteti nuk e ka obligim ligjor që të sigurojë ato për arsimin e mesëm të lartë.
“Kjo është e qartë: Kushtetuta e Kosovës dhe Ligjet në fuqi obligojnë shtetin për organizimin e arsimit të detyruar vetëm për arsimin themelor, domethënë klasat 1-9 dhe nga viti i kaluar edhe nga klasa parafillore, pas miratimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që e bën këtë klasë pjesë të arsimit të obliguar. Gjithsesi është e dëshirueshme por jo edhe obligim ligjor i shtetit për sigurim të teksteve për arsimin e mesëm të lartë”, tha ai.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjatë muajit korrik të vitit 2025 publikoi një hulumtim mbi skemën e re të subvencionimit të librave shkollorë. Hulumtimi që ishte realizuar në terren nga UBO Consulting, tregoi që prindërit ishin të pakënaqur me skemën e re. Po ashtu, u konstatua vonesë në pajisje me libra në fillim të vitit, e gjithashtu, prindërit treguan se paratë që ua ndau ministria për blerje të librave nuk u mjaftuan. Për realizimin e hulumtimit u intervistuan 400 prindër nga shtatë rajone të Kosovës.
SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Vjollca Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se subvencionimi nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe materiale mësimore nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.
Ajo tha se edhe procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se edhe shumë prindër kanë vështirësi me procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, gjë që po krijon pasiguri tek prindërit dhe nxënësit për sigurimin e teksteve në kohë.
“Këtë vit me sa ne e kemi parë ka filluar aplikimi për subvencion pak ndoshta me vonesë se 1 shtatori është shumë afër dhe kanë aplikuar prindërit, përkundër asaj që prapë mbesin prindërit, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të aplikohet për subvencionim. Po në të njëjtën kohë edhe subvencionimi, i cili është duke u bërë prej 80 eurove nuk është i mjaftueshëm, ngase librat për nxënësit e këtyre klasave nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpeshherë janë më të shtrenjta. Do të thotë nuk e përmbushin kërkesën dhe nevojën ato 80 euro për t’ju blerë tekste shkollore e mos të flasim për mjetet tjera”, tha Shala.
Nëpër rrjete sociale ka pasur edhe ankesa tjera nga prindër. Ata thonë se platforma e-Kosova nuk po lejon aplikimin për fëmijët që janë nën moshën 6-vjeçare.
Prindi i një vajze, e cila është regjistruar në shkollë ndonëse ende nuk i ka mbushur 6-vjeç, është ankuar se platforma nuk po ia mundëson aplikimin për subvencionim.
Ajo thotë se mesazhi që ka marrë nga e-Kosova është ky: “Mosha e fëmijës duhet të mes 6 dhe 11 vjet. Sipas të dhënave të pranuara nga zyra e Gjendjes Civile, mosha e fëmijës për të cilin jeni duke aplikuar nuk e plotëson këtë kusht”.