Me ardhjen në jetë të një fëmije, jeta e çiftit merr një tjetër rrjedhë.
Tashmë e rëndësishme është që i vogli i shtëpisë të jetë mirë, të mëdhenjtë kanë kaluar në plan të dytë.
Një fëmijë është një bekim në shtëpi, po na lejoni t’ju themi se ju pret përpara një detyrë shumë e vështirë, që kërkon shumë mund dhe sakrifica.
Ky artikull u dedikohet plotësisht nënave të reja, pa eksperiencë, të cilat me shumë siguri ndihen shumë të lodhura. Më poshtë do t’ju sjellim një listë me këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë.
Pranoni ndihmë. Në këto ditë, ju jeni e rrethuar nga njerëzit më të dashur, nëna, motra, vëllai, bashkëshorti, mikeshat. “Shfrytëzojeni” mirë këtë moment që t’ju ndihmojnë për ta mbajtur beben për pak kohë, ndërkohë që ju kujdeseni për veten: të flini pak, të bëni një dush, të pushoni.
Mos e mërzitni veten, nëse nuk dini disa gjëra si të kujdeseni për beben. Është mëse normale. Askush nuk ka lindur i ditur. Pavarësisht se mund të keni lexuar shumë gjëra, rritja e një bebeje nuk është njësoj për të gjithë nënat. Ndiqni instiktin dhe do ta shikoni se kjo do të jetë më e mira. Mos e fajësoni veten për çdo gjë dhe mos u demoralizoni. Bebi gjithashtu sapo ka ardhur në një botë krejtësisht të re, jepini kohë të mësohet, kini durim dhe mos harroni se ai ka shumë nevojë për ju. Mësohuni me situatën.
Mos u kushtoni rëndësi krahasimeve që i bëjnë bebit tuaj me fëmijët e tjerë. Në këto kohë do të dëgjoni shumë: fëmija im ishte shumë i qetë, nuk qante, pinte qumështin pa naze, nuk sëmurej kurrë. Mund t’ju duket sikur fëmija juaj është grindavec, qaraman, por jo. Askush nuk flet për netët pa gjumë. S’ka fëmijë që nuk qan, kështu që thjesht mos i dëgjoni fjalë të tilla.
Bebi qan, sepse kërkon diçka. Kjo është forma e të shprehurit të fëmijës. Kështu që nëse ai qan, po përpiqet t’ju thotë diçka me gjuhën e tij.
”Mos e mëso ta mbash në krahë!” Mos e bëni këtë gabim dhe të dëgjoni të tjerët që jua thonë këtë. Çdo njeri ka nevojë për një përqafim, aq më tepër një bebe e sapoardhur në jetë. Ajo ka nevojë për përkujdesje, përqafime dhe aromën tuaj.