Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur probleme shëndetësore, që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi.
Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton studentët janë ndjerë keq pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë, duke shfaqur komplikacione që kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore.
Për shkak të gjendjes së tyre, studentët janë transportuar drejt spitalit për të marrë trajtim dhe për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Dyshohet se shkak i helmimit mund të ketë qenë ushqimi i konsumuar një ditë më parë, 6 maj, në mensën e institucionit.
Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private, e cila ofron shërbimin e kateringut për tre vaktet ditore të studentëve.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të verifikuar sigurinë ushqimore në institucion.
/tvklan.al