E mërkurë, 16 Tetor, 2024

40% e kosovarëve analfabetë funksionalë, 4.8% analfabetë të deklaruar

- Advertisement1-

Kosova mban vendin e parë në rajon për analfabetizëm. Shkalla e analfabetizmit funksional në vendin tonë arrin deri në 40 për qind.

Në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 në Kosovë, kanë dalë rreth 55 mijë persona apo 4.8 për qind e popullit analfabet të deklaruar.

- Advertisement -

Emisioni “Kriter” në RTK, ka trajtuar këtë temë që sipas të gjeturave, rezulton se shkalla e analfabetizmi funksional në Kosovë, lidhet ngushtë me braktisjen e shkollimit.

Në arsimin e obliguar braktisja e shkollimit në nivel vendi është 0.05 për qind.
Më e theksuar është tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Shkak për këtë janë kushtet socio-ekonomike.

Edhe pse Kosova ka ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, në këtë rast vihet në pikëpyetje zbatimi i tij.

Ky ligj shkelet edhe në rastin e Rronit, i cili tani është 12 vjeç, dhe nuk ka vijuar mësimin për 4 vjet radhazi. Rroni procesin mësimor e ka ndjekur vetëm në klasë e parë dhe të dytë. Me ndërprerjen e mësimit, rruga e jetës së tij, ka qenë puna.

Fushë Kosova është komuna e cila në shkollat e saj ka më së shumti fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të përfshirë në procesin mësimor.
Në shkollën “Selam Riza” nga gjithsej 1400 nxënës, 402 prej tyre janë nxënës nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian, boshnjak, goran dhe turq.

Drejtues të kësaj shkolle vënë në dukje se braktisja e shkollimit këtu ka një rënie pre 3 % në tri vitet e fundit.
Derisa braktisja e shkollimit në vitin shkollor 2019/2020 ishte 36 nxënës, në vitin 2021/2022 mësimin në shkollën “Selman Riza” e kanë braktisur rreth 20 nxënës.

- Advertisement -rrrrrrr

“Në vitin 2018 kemi pasur vetëm 300 nxënës nga komunitetet, e tani kemi diku 402 nxënës, marrë për bazë që ka pas një lloj migrimi edhe te shqiptarët por më shumë tek komuniteti ashkali, por megjithatë ka rritje”, thotë Esad Simnica, drejtor i shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë.
“Çdo fundvit shkollor i nxjerrim statistikat dhe kemi një rënie prej 2-3 për qind. Për vitin e kaluar ka qenë vit pandemie dhe nuk i kemi të sakta të dhënat, por në vitin 2019/2020 ka qenë 36, derisa në vitin 2021/2022, 20 nxënës e kanë braktisur shkollimin”, thotë Simnica për RTK.

Shkaqet e braktisjes së shkollimit janë prej më të ndryshmeve, por më e theksuar në familjet në këtë komunë janë ato ekonomike.

Në qendrën për punë dhe mirëqenies sociale në Fushë Kosovë tregojnë se 70% e familjeve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë me asistencë sociale, e cila asistencë është 140 euro në muaj për një familje 5-anëtarësh, e cila ka të paktën një fëmijë nën moshën 5-vjeçare.
Ky është faktor shumë ndikues që fëmijët e këtyre familjeve të braktisin shkollimin.

“Skema sociale varet nga anëtarët e familjes, fillon nga 90 euro e lart. Numri i familjarëve e përcakton edhe shumën, pasi kemi një ligj shumë kufizues sepse fëmija nëse mbush 5 vjet, përjashtohet nga kriteret e përfitimit të ndihmës sociale”, thotë Abaz Xhigolli zyrtar në MPMS në komunën e Fushë Kosovës. “Eshtë një shumë që nuk mjafton për periudhë 30 ditore”.

Përfaqësues të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian tregojnë se vetëm librat falas nuk janë zgjidhje për vijimin e procesit të obligueshëm mësimor.
Ata kërkojnë ofrim të mundësisë nga shteti për punësimin e këtyre komuniteteve, që sipas tyre fëmijët e këtyre komuniteteve të jenë të barabartë me fëmijët e të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

“Premtimet janë vetëm fjalë, por ne kemi dëshirë që të kemi një dokument që do të ketë punësim të komuniteteve. Kryeministri na ka premtuar që është duke u bërë një grup që do të bëjë një dokument për dhënien e përparësisë që ne të punësohemi:, thotë Rrahim Stollaku nga OJQ “Ballkan Sunfloëers”.

“Me ligj është që 10% të punësuarve të jenë nga komunitetet, por këtu për fat të keq, i jepet përparësi vetëm komunitetit serb”.
Në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar nga klasa e 1 deri në të 12 e kanë braktisur shkollimin për vitin 2020/2021 gjithsej 992 nxënës, prej tyre 918 shqiptar, 67 nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, 5 boshnjakë dhe 2 turq.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht nga klasa e 1 deri në të 9-tën, në vitin shkollor 2018/2019, shkalla e braktisjes së shkollimit nga fëmijët ka shënuar 0.07 për qind, apo 159 e kanë braktisur shkollimin.

Në vitin shkollor 2019/2020, shkalla e braktisjes ishte 0.05 për qind apo 122 fëmijë janë larguar nga shkollim i obliguar.
Derisa në vitin 2020/2021,gjithashtu e kanë braktisur shkollimin 0.05 për qind apo 109 fëmijë.
Shifrat më shqetësuese janë në arsimit e mesëm të lartë në klasat 10, 11 dhe 12-të.
Në vitin shkollor 2018/2019 shkalla e braktisjes në shkollimin e mesëm është 1.83% apo nga mësimi janë larguar 1 mijë e 544 nxënës.

Në vitin 2019/2020 shkollor procesin mësimor e kanë braktisur 1.23% apo 962 nxënës.

E në vitin 2020/2021 shkollimin e kanë braktisur 1.18% apo 883 nxënës të shkollave të mesme.
Braktisja e shkollimit, është e ndaluar edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, në nenin 47 të këtij ligji thuhet: “Nëse komuna vlerëson se ndonjë fëmijë i moshës së shkollimit të detyruar nga territori i saj, nuk është duke u arsimuar në mënyrë të duhur, përmes vijueshmërisë së rregullt në shkollë, ajo i dërgon një vërejtje me shkrim prindërve dhe kërkon nga ata që të bindin komunën brenda afatit kohor të përcaktuar në vërejtje se fëmija është duke u arsimuar në shtëpi ose diku tjetër. Nëse prindërit nuk i përgjigjen komunës brenda afatit kohor të specifikuar në vërejtje, atëherë komuna e procedon rastin në procedurë për kundërvajtje.”

Edhe pse ky ligj është në fuqi që nga vitit 2011, për një dekadë asnjëherë nuk është zbatuar ky nen. Në Ministrinë e Arsimit tregojnë se asnjëherë nuk është dënuar ndonjë prind. Për këtë kanë një arsyetim të veçantë.

“Nuk është zbatuar për arsye ekonomike, kur shteti nuk arrin t’i mbështesë si duhet, atëherë është vështirë të zbatohet për personat që luftojnë për ekzistencën e vet”, shpjegon Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit.
Që nga paslufta organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare kanë ndërmarrë fushata vetëdijësuese për rëndësinë e arsimimit dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Astrit Bytyqi” në Ferizaj mban diskutim me Policinë e Kosovës për parandalimin e dukurive negative

Në shkollën "Astrit Bytyqi" në Ferizaj diskutim sensibilizues për parandalimin e dukurive negative, ku...

Kryetari i Skenderajt: Nga mungesa e buxhetit, sektori i Arsimit këta dy muaj do jetë pa paga

Kryetari i Skenderaj Fadil Nura ka treguar për problemt të cilat po përballet Skenderaj. Tutje...

Mësimdhënësit pa rritje page këtë fundvit: Po, më 2025 do ketë?

Kryeministri Albin Kurti më 7 tetor në konferencën për media u pyet nëse do...

“Heroi im që më frymëzon”, ese nga nxënësja Aida Dede

Mesazhi i esesë së nxënëses nga Korça, Aida Dede, qëndron te vlerësimi i heronjve...